Skena politike në Kosovë: Fyerje dhe kërcënime

Zyrtarët e lartë shtetërorë në Kosovë, kohët e fundit janë duke përdorur fjalor fyes dhe gjuhë denigruese mes vete, mirëpo sipas analistëve politikë ky nuk është një fenomen i ri.


Ky fjalor sipas tyre, zakonisht degradon kur në Kosovë ka zhvillime për ndryshime në skenën politike.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka quajtur partinë politike Lëvizja Vetëvendosje, që drejtohet nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, ‘ndërmarrje kriminale’ teksa ka mohuar deklarimet se ai ka sjellë deputetin Behgjet Pacollin nga Shqipëria në Kosovë, në kohën kur kufijtë janë të mbyllur për shkak të pandemisë COVID-19.

Thaçi, në një linjë telefonike në televizionin Dukagjini ka thënë se ai tash gjendet në shtëpi, ndërsa ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ushtruesi i detyrës së ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, mund ta vizitojnë.

Kryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi në facebook, ka thënë se Thaçi është shembulli më i keq për qytetarët. Ai ka thënë se presidenti Thaçi, duhet të pushojë me kalime kufiri pa protokoll e në kundërshtim me masat e marra ndaj COVID-19, sëmundjes që shkaktohet nga koronavirusi i ri.

“Sa për sharjet e fyerjet që m’i bën, duke thirrur me zërin që i dridhet porsi kalama nëpër studiot televizive, e kam zgjidhjen: le ta organizojmë një debat televiziv ku dalim ne të dy, pra, unë kryeministri në detyrë dhe ai presidenti jashtë detyrës. Nëse do, le ta marrë me vete edhe Behgjet Pacollin. Në atë rast, po, edhe unë po e marr Xhelal Sveçlën e Rashit Qalajn”, ka shkruar Kurti.

Kurse, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka kritikuar ushtruesin e detyrës në Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratë Publike, Xhelal Sveçlën, i cili një ditë më parë në një konferencë për media tha se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkelur protokollin shtetëror të martën duke shkuar në Shqipëri dhe duke mos njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Përdorimi i fjalorit të papërshtatshëm nga krerët e lartë të vendit dhe kryetarët e partive politike nga analistë politikë në Prishtinë, po shihet jo vetëm si papjekuri politike, por edhe mungesë e kulturës së komunikimit normal.

Krasniqi: Me këtë gjuhë duket sikur po kërkojnë ballafaqim fizik

Analistja Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se gjuha të cilën janë duke e përdorur politikanët nuk duhet lejuar dhe nuk dërgon mesazh të mirë për demokracinë e vendit.

Krasniqi thotë se edhe pse Kosova është duke kaluar në një krizë politike, fjalori i ashpër linçues e denigrues është i pajustifikueshëm.

“Format e komunikimeve të tilla janë të dënueshme të papranueshme, qoftë në inkuadrime [v.j. në emisione] apo edhe në vend të tjera. Duket sikur janë duke u kërkuar ballafaqime edhe fizike me njëri-tjetrin”, tha Krasniqi.

Analisti, Imer Mushkolaj, thotë se deklaratat politike tregojnë se sa e armiqësuar është skena politike dhe krerët politikë.

Mushkolaj tha për Radion Evropa e Lirë se deklarata të tilla tregojnë po ashtu për elektrizimin e skenës politike, sidomos në kohën e krizës politike në të cilën është futur aktualisht Kosova.

“Pikërisht kur këta përfaqësues të institucioneve duhet që të gjejnë mënyra të tjera argumentuese, respektivisht të provojnë që problemet t’i zgjidhin me komunikim ndërinstitucional, zgjedhin ketë gjuhë të papranueshme për shkak se nuk pritet ose nuk do të duhej që qytetarët të presin se ajo gjuhë mund të vijë nga përfaqësuesit institucionalë”, tha Mushkolaj.

Sulme edhe ndaj SHBA-së dhe BE-së

Donika Emini, njohëse e zhvillimeve politike në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se ajo që shtihet kohëve të fundit në Kosovë, nuk është vetëm degradimi i gjuhës të krerëve të shteti, por sipas saj, ky degradim është shtrirë edhe të partitë politike dhe anëtarësia e tyre.

“Do të thotë po bëhet fjalë për stabilitetin e brendshme politik, të cilin po shihet qartë që presidenti [v.j. Hashim Thaçi] edhe kryeministrit në detyrë [v.j. Albin Kurti] po ju konvenon që të ketë jostabilitet, në mënyrë që të ecin agjendat e tyre, cilado qofshin ato. Kjo duhet të jetë alarmuese për qytetarët e Kosovës”, tha Emini.

Analistja Emini përmend edhe faktin tjetër, që siç thotë ajo është mjaft shqetësues, se si me anë të rrjeteve sociale, zyrtarë e anëtarë të partive politike kanë nisur fushata linçuese ndaj aleatëve të Kosovës.

“Është shumë shqetësuese të shohësh që jo veç militantët e partive politike, por edhe vet persona që mbajnë pozita të larta shtetërore e partiake, janë duke sulmuar në mënyrë të vazhdueshme përfaqësuesit nga SHBA-ja dhe ata të Bashkimit Evropian. Do të thotë, janë të ndarë në dy tabore, atë që sulmojnë Departamentin e Shtetit, sidomos ambasadorin [Richard] Grenell, kurse në anën tjetër, kemi edhe gjuhë degraduese kërcënime e ofendime nga tabori tjetër kundrejt BE-së. Kjo sidomos vërehet te sulmet që i behën vazhdimisht raportuesit të Kosovës në Parlamentin Evropian”, tha Emini.

Ajo tha se gjuha linçuese e kërcënuese si në rrafshin e brendshëm po ashtu edhe në atë të jashtëm, mund t’i kushtojë shumë Kosovës, sidomos pas përfundimit të pandemisë.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti në një postim në Facebook, ka ftuar presidentin dhe kryeministrin që t’i lënë anash dallimet politike dhe t’i bashkohen atij në shpërndarjen e ndihmave për persona që kanë nevojë në kohë të pandemisë.

“Këtu jam duke ju pritur. Merrni kë të doni, merrni më shumë njerëz e ejani t’i shpërndajmë disa ndihma e pako ushqimore për ata që kanë nevojë”, ka deklaruar Ahmeti.

Me gjuhë të ashpër i dërgohet mesazh votuesve

Profesori i Universiteti të Prishtinës, Rrahman Paçarizi thotë se përplasjet me fjalë mes presidenti Thaçi dhe kryeministrit Kurti, janë tendencë për të treguar fuqi fizike, për të treguar muskuj.

“Ata nuk po i çojnë mesazh njëri-tjetrit por votuesve, duke i përçmuar si votues që s’dinë të vlerësojnë programe, por i trajtojnë si tifozë sportesh luftarake që i duartrokasin dhe e adhurojnë atë më me shumë muskuj”, ka shkruar Paçarizi.

Mediat në Kosovës, kanë raportuar se zyrtarë serbë, por edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, janë duke qarkulluar ndërmjet Kosovë dhe Serbisë në këtë kohë kur kufijtë janë të bllokuar. Për të konfirmuar këtë, Radio Evropa e Lirë, ka kërkuar përgjigje nga ushtruesi i detyrës të ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administrate Publike, Xhelal Sveçla, por i njëjti nuk është përgjigjur. /REL

ARTIKUJT E NGJASHËM

Rriten çmimet e derivateve të naftës në Maqedoninë e Veriut

PreshevaPRESS

KFOR: Ishim të informuar për patrullimin e ushtrisë serbe pranë vijës kufitare

PreshevaPRESS

ZV/kryeministri i Malit të Zi: Kosova është krahinë e Serbisë

PreshevaPRESS