Ardita Sinani është femra e parë që ka drejtuar Komunën e Preshevës për një periudhë rreth shtatë muaj.
Ajo në emisionin “Personale” me Krenare Vokshi-Shala në RTV Dukagjini, ka ardhur me një rrëfim për jetën dhe karrierën e saj.
Sinani thotë se puna e saj e pa kompromise kundër korrupsionit, oligarkëve dhe në mbrojtje të drejtave të shqiptarëve ka ndikuar që të shkarkohet nga presidenti Vuçiq.
“Qeveria e Serbisë kërkon bashkëpunëtorë të vet dhe instalon njerëzit e vet…Rrëzimi im është bërë nga qeveris e Serbisë e ndihmuar një grup i caktuar i interesit që sot udhëheqin Komunën e Preshevës”, tha ajo.
Ajo thotë se raportet mes subjekteve politike shqiptare nuk kanë qenë asnjëherë më parë të tilla.
“Asnjëherë në Komunën e Preshevës nuk jemi ballafaquar me një situatë të tillë. Konkurrenca e brendshme politike ka ekzistuar gjithmonë. Kjo situatë po ndodhë prej ardhjes së Shqiprim Arifit në krye të “Alternativës”. Jo e gjithë Alternativa është e tillë. Por Shqipërimi me katër a pesë persona të tjerë”.
Sinani thotë ardhja e tyre në krye të Komunës së Preshevës është bërë me ndihmën e aparatit shtetërorë dhe duke blerë vota me shumicë.
“Sot në Kuvendin Komunal të Preshevës opozita ka 18 këshilltarë dhe 18 i ka pozita. Qeverisja është direkt e varur nga Lista Serbe dhe nga dy këshilltarët e tyre që janë në koalicion me pushtetin e Preshevës”, tha ndër të tjera Ardita Sinani.