Komuna e Preshevës ka njoftuar nisjen e një projekti të ri që synon përmirësimin e qëndrueshmërisë energjetike dhe mbrojtjen e mjedisit.
Në kuadër të mbështetjes nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur – Ballkani Perëndimor (OSF–WB), Presheva do të jetë pjesë e iniciativës rajonale për tranzicion energjetik të qëndrueshëm.
Pjesë e këtij projekti do të jetë Shkolla Fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi”, e cila së shpejti do të pajiset me panele solare, duke e bërë atë njërën ndër institucionet e para publike në komunë që kalon drejt përdorimit të energjisë së pastër dhe efiçiente.
Në njoftimin e publikuar nga kryetarja e komunës, Ardita Sinani, theksohet se ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm në drejtim të modernizimit të infrastrukturës publike dhe krijimit të kushteve më të mira për gjeneratat e reja.
“Ky është edhe një dëshmi se Presheva po ecën përpara, me projekte që mbrojnë mjedisin, modernizojnë institucionet dhe krijojnë kushte më të mira për gjeneratat që vijnë. Presheva po ndryshon çdo ditë – më e gjelbër, më moderne, më e qëndrueshme. Energjia e diellit për të ardhmen e fëmijëve tanë!”, ka shkruar Sinani në njoftimin e publikuar në faqen e saj në Facebook.
Ky projekt vjen si pjesë e përpjekjeve të komunës për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm, efikasitetin energjetik dhe reduktimin e ndotjes, duke e afruar Preshevën me praktikat bashkëkohore mjedisore që po zbatohen në mbarë rajonin.
