Në listën e keq menaxhimit të institucioneve lokale të Preshevës është përfshirë edhe shtëpia e shëndetit “Presheva” në Preshevë, e cila sipas burimeve të PreshevaPRESS po ballafaqohet me 13 procese gjyqësore që kanë iniciuar vetë personeli i këtij institucioni kundër tij.
Sipas informatave deri të cilat ka ardhur PreshevaPRESS, shtëpia e shëndetit “Presheva” në Preshevën po ballafaqohet me mbi dhjetë procese gjyqësore të iniciuar nga të punësuarit e këtij institucioni në Gjykatën Themelore në Bujanoc për mosrealizimin e pagesave për punën jashtë orarit të punës dhe angazhimeve të tjera.
Edhe pse sipas ligjit këtë institucion në gjykatë do të duhej ta mbronte sekretari i shtëpisë së shëndetit, kjo procedurë do të i kushtojë edhe më shumë se ç`pritej pasi që ky institucion për shkak të arsyeve të panjohura ka angazhuar avokat privat për të u ballafaquar me këto raste.
Deri më tani, pranë gjykatës themelore në Bujanoc, kundër shtëpisë së shëndetit “Presheva” në Preshevë, në total janë realizuar rreth 50 seanca gjyqësore në lidhje me këto procese, e që nëse marrim koston minimale për seancë, buxheti i këtij institucioni do të dëmtohet në vlerë prej mbi 500,000.00 dinar.
PreshevaPRESS së shpejti do të [publikojë edhe dokumentet që dëshmojnë saktësisht për padrejtësitë e bëra ndaj personelit të shtëpisë së shëndetit në Preshevë, arsye kjo pse edhe janë filluar dhjetëra raste në Gjykatën Themelore në Bujanoc kundër këtij institucioni.