Dhimbjet në pjesën e poshtme të shpinës janë një problem i shpeshtë shëndetësor që prek një numër të madh të rriturish.
Sipas Institutit Kombëtar Britanik për Ekselencë në Shëndetësi dhe Kujdes (NICE), deri në 60 për qind e të rriturve përjetojnë dhimbje në shpinën e poshtme të paktën një herë gjatë jetës. Në çdo moment të caktuar, rreth 3–4 për qind e të rriturve nën moshën 45 vjeç dhe 5–7 për qind e atyre mbi këtë moshë vuajnë nga dhimbje kronike në këtë pjesë të trupit.
Edhe pse këto dhimbje mund të ndikojnë ndjeshëm në cilësinë e jetës, studimet e fundit tregojnë se ato mund të parandalohen përmes një aktiviteti të thjeshtë fizik – ecjes së rregullt. Sipas HuffPost, rritja e kohës së ecjes ditore ndihmon në uljen e rrezikut për shfaqjen e dhimbjeve në shpinë.
Të dhënat zyrtare tregojnë se njerëzit në Mbretërinë e Bashkuar ecin mesatarisht vetëm 11 deri në 13 minuta në ditë, një kohë kjo që konsiderohet e pamjaftueshme për përfitime reale shëndetësore.
Sa duhet të ecim për të mbrojtur shpinën?
Sipas një studimi të realizuar nga Universiteti Norvegjez i Shkencës dhe Teknologjisë, personat që ecin më shumë se 100 minuta në ditë kanë 23 për qind më pak rrezik për të zhvilluar probleme në pjesën e poshtme të shpinës, krahasuar me ata që ecin 78 minuta ose më pak në ditë.
Megjithatë, lajmi i mirë është se intensiteti i ecjes nuk është faktori më i rëndësishëm. Rajane Hadadzh, doktorante në Departamentin e Shëndetit Publik dhe Infermierisë në këtë universitet, thekson se rëndësi ka kohëzgjatja e ecjes dhe jo shpejtësia e saj. Sipas saj, është më e dobishme të ecësh më gjatë sesa të ecësh më shpejt.
Në studim morën pjesë gjithsej 11.194 persona. Veçantia e këtij hulumtimi qëndron në faktin se koha dhe intensiteti i ecjes së përditshme u matën me ndihmën e dy sensorëve, të vendosur në kofshë dhe në shpinë, të cilët pjesëmarrësit i mbanin deri në shtatë ditë.
Studiuesit vlerësojnë se këto gjetje janë të rëndësishme për parandalimin e problemeve kronike të shpinës, duke qenë se deri më tani ka pasur pak studime të përqendruara në parandalimin e çrregullimeve muskulore dhe skeletore.
