Këshilli Kombëtar Shqiptar, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë dhe Ambasadës së Shqipërisisë në Beograd, organizon një muaj të tërë me aktivitete kulturore, artistike dhe identitare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, në kuadër të festave të Nëntorit.
Qëllimi i këtyre aktiviteteve është të forcohet identiteti dhe krenaria kombëtare, të mbështeten nismat kulturore dhe artistike, dhe të promovohen projektet që pasurojnë trashëgiminë kulturore në komunitet.
Sipas postimit të tij në Facebook, kryetari Enkel Rexhepi shkruan se aktivitetet nën qëllimin #VeçShqip do të manifestojnë identitetin shqiptar dhe do të mbajnë gjallë frymën kombëtare dhe krenarinë shqiptare tek shqiptarët e Luginës.
Aktivitetet përfshijnë implementimin e programeve me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, si dhe shpërndarjen e buxhetit të ndarë nga Republika e Kosovës për Luginën. Janë hapur 4 konkurse për projekte që lidhen me identitetin kombëtar, ndërsa më vonë pritet të nisë edhe një program tjetër me fokus tek të rinjtë shqiptarë të Luginës.
Megjithatë, mbetet e paqartë se cilat aktivitete specifike do të zhvillohen gjatë këtij muaji, pasi nuk është publikuar ende një agjendë apo program i detajuar, përveç informacionit të përgjithshëm se do të ketë një muaj të tërë aktivitetesh.
