Rexhepi: Garancitë ligjore për pakicat mbeten të kufizuara në praktikë

Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Driton Rexhepi, ka vlerësuar se pavarësisht se korniza ligjore e Republikës së Serbisë parasheh garanci për mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare, zbatimi i tyre në praktikë mbetet seriozisht i kufizuar, veçanërisht për komunitetin shqiptar.


Sipas Rexhepit, mospërputhja ndërmjet dispozitave ligjore dhe realitetit në terren është e dukshme në fusha kyçe si arsimi, përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, punësimi dhe përfaqësimi institucional. Ai theksoi se kjo situatë vazhdon të jetë shqetësuese dhe pa zgjidhje konkrete.

Një ndër problemet më serioze, sipas tij, është procesi i pasivizimit të adresave, i cili ka prodhuar pasoja të drejtpërdrejta juridike, sociale dhe politike për komunitetin shqiptar. Rexhepi vlerësoi se minimizimi i këtij problemi nuk ndihmon në zgjidhje, por përkundrazi thellon mungesën e besimit ndaj institucioneve.

Ai kërkoi trajtim institucional serioz të kësaj çështjeje, transparencë të plotë dhe vendosje të mekanizmave korrigjues efektivë, në përputhje me standardet demokratike dhe parimet e sigurisë juridike.

Në fushën e arsimit, Rexhepi pranoi se janë shënuar disa përparime, por theksoi se problemet thelbësore mbeten të pazgjidhura. Mungesa e teksteve shkollore adekuate, veçanërisht në arsimin e mesëm, mosnjohja e diplomave të Kosovës dhe çështjet e liçencimit vazhdojnë të ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë dhe barazinë e procesit mësimor.

Ai shtoi se projektet infrastrukturore dhe arsimore janë të mirëpritura dhe përbëjnë hapa pozitivë, por nuk mjaftojnë. Sipas Rexhepit, sfida kryesore mbetet arritja e barazisë reale, integrimit të qëndrueshëm dhe përmirësimit të përgjithshëm të pozitës së komunitetit shqiptar.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Rexepi (PVD): Mënyra e menaxhimit të prokurimeve publike po e fundos Preshevën

PreshevaPRESS

Dokument / Ftohet seanca e parë e Kuvendit Komunal të Preshevës për këtë vit

PreshevaPRESS

Dokument / Zgjatet afati për regjistrimin e objekteve

PreshevaPRESS