Dega e Partisë për Veprim Demokratik në Preshevë sot ka mbajtur konferencë për media, në të cilën u fol për premtimet e parealizuara të Shqiprim Arifit, me theks të veçantë në premtimet për rikthimin e Gjykatës themelore dhe Prokurorisë.
Sipas PVD-së, tentativa e Shqiprim Arifit që “ditët e gjykimit” apo “sudski dani” t`a paraqes si sukses dhe përmbushje të premtimit për kthimin e Gjykatës themelore, përveç tjerash është mashtrim dhe manipulim tipik me ndjenjat e qytetarëve të komunës së Preshevës, e që njëherit paraqet edhe degradimin e kërkesës politike të shqiptarëve të aprovuar me planin 7 pikësh. Ky plan i miratuar nga subjektet politike shqiptare ndër tjerash rëndësi të veçantë i jep hapjes së institucioneve gjyqësore në Luginë.
Në këtë konferencë u tha se “ditët e gjykimit” nuk kanë asgjë të përbashkët dhe nuk mundë të zëvendësojnë gjykatën, sepse me “ditët e gjykimit ” nënkuptohet që një gjykatës në një ditë të caktuar të javës do të procedojë me lëndët e kontesteve civile, kurse për gjithçka tjetër mbetet kompetente Gjykata e Vrajës.
Në fund të konferencës Partia për Veprim Demokratik lëshoi një video me përmbledhje të premtimeve që Shqiprim Arifi i ka dhënë gjatë deklarimeve publike në lidhje me kthimin e Gjykatës.
Vlen të theksohet se në këtë video të publikuar nga PVD, Shqiprim Arifi përveç se në dy raste jep dy data të ndryshme në të cilat zotohet për kthimin e Gjykatës, i pari i Preshevës përmend edhe një vendim të Ministrisë së Drejtësisë të papublikuar deri më tani, dokument përmes të cilit vendoset kthimi i Gjykatës themelore në Preshevë.
PVD ka theksuar se ka analizuar edhe premtimet tjera të Shqiprim Arifit, e që sipas PVD-së Arifi ka luajtur me ndjenjat e qytetarëve të komunë së Preshevës duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë socio- ekonomike të tyre. Për rezultatet e këtyre analizave PVD ka paralajmëruar publikimin e dëshmive gjatë ditëve në vijim.
Në vazhdim ju sjellim konferencën e mbajtur sot nga Partia për Veprim Demokratik së bashku me videon e përmbledhjes së premtimeve të Shqiprim Arifit, poashtu të përpunuar nga PVD.