PVD E PDSH NESËR DO TA BOJKOTOJNË SEANCËN E KUVENDIT KOMUNAL

Pas situatës së krijuar me shtyerjen e seancës së parë të Kuvendit Komunal në Preshevë, seancë e cila duhet të mbahet nesër, Partia për Veprim Demokratik dhe Partia Demokratike Shqiptare kanë vendosur që nesër të bojkotojnë punimet e Kuvendit.


Edhe pse pas shtyerjes së seancës së parë të Kuvendit Komunal të Preshevës, Partia Demokratike Shqiptare në mbledhjen e mbajtur me kryesinë dhe grupin e këshilltarëve të saj më 06 mars 2020 ka marrë vendim të shfuqizojë “Masën e MORATORIUMIT” në punën e Kuvendit Komunal Preshevë, gjatë ditës së sotme burime të PreshevaPRESS thonë se po e njejta parti ka vendosur që të bojkotojë punimet e Kuvendit Komunal të Preshevës, duke e shtyrë edhe një hap përpara idenë drejt rrëzimit të qeverisjes lokale.

Po i njëjti burim i PreshevaPRESS nga opozita në Preshevë, burim ky  i cili dëshiron të mbetet anonin, thot se përveç PDSH-së, edhe Partia për Veprim Demokratik ka vendosur që këshilltarët e kësaj partie të mos marrin pjesë në seancën e Kuvendit Komunal gjatë votimit për pikat e rendit të ditës.

PreshevaPRESS ka kontaktuar të dy partitë e opozitës për ta konfirmuar pjesmarrjen e tyre në seancën e rradhës, por as PDSH e as PVD nuk kanë pasur gatishmëri për t’u përgjegjur.

PreshevaPRESS ka raportuar gjatë javës së kaluar se gara dhe mospajtimet brenda APN-së për emrin e kandidatit nga radhët e kësaj partie në listën e përbashkët për zgjedhjet parlamentare, ka krijuar përçarje edhe në qeverisjen lokale në Preshevë, gjë që ka shkaktuar edhe shtyerjen e seancës së parë të Kuvendit Komunal të Preshevës për shkak të mungesës së numrave të nevojshëm për të kaluar vendimet e parapara për këtë seancë.

Situata e krijuar javën e fundit me numrat e koalicionit qeverisës në Preshevë mund ta dërgoj Preshevën përsëri në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Qëllimi i mos prezencës së partive opozitare në Preshevë është që mos ti garantojë kuorumin pushtetit në rast se ajo dështon për shkak të përçarjeve dhe mospajtimeve të partisë më të madhe në qeverisjen lokale në Preshevë e që është Alternativa për Ndryshim.

Derisa PVD dhe PDSH kanë vendosur ta sfidojnë qeverisjen lokale me numrat e përfaqësuesve të saj në Kuvendin Komunal, PreshevaPRESS mëson se disa nga këshilltarët e APN-së dhe disa anëtarë nga organet kryesore të kësaj partie, në këto momente janë mbledhur në shtëpinë e kryetarit të APN-së, Shqiprim Arifi, për të diskutuar rreth seancës së nesërme dhe mungesës së mundshme të disa këshilltarëve të kësaj partie si pasojë e ndarjeve për emrin e kandidatit për deputet nga kjo parti në listën e përbashkët shqiptare në zgjedhjet parlamentare.

Seanca e parë e Kuvendit Komunal në Preshevë është thirrur për datën 2 mars, derisa kryetari i kuvendit, Sami Salihu, ka njoftuar shefat e grupeve të këshilltarëve në Kuvendin Komunal përmes një mesazhi se po e njejta seancë shtyhet.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Publikohet lista e përfituesve në konkursin për masat e efikasitetit energjetik në Preshevë për vitin 2023

PreshevaPRESS

Dokument / Pozitat udhëheqëse që do të i takojnë Aleancës për Luginën në Komunën e Preshevës

PreshevaPRESS

KDNJ ka mbajtur tribunën “(Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi”

PreshevaPRESS