Punëtorët e Industrisë së Duhanit në Bujanoc (DIB) kanë hyrë në grevë të hënën në mëngjes, mëson agjencia e lajmeve JUGpress nga disa burime në Bujanoc.
Arsyeja e pezullimit të punës dhe e ndërprerjes së prodhimit në këtë kompani është mosshlyerja e një pjese të pagës për muajin gusht, si dhe fakti që nga data 1 tetor të gjithë punonjësit duhet të marrin pagën minimale.
“Ne nuk do të punojmë për ndihmë sociale, duam të jetojmë nga puna jonë. Duhet pasur kujdes, sepse kompania është në rrezik. Këtë e tregon edhe fakti se restoranti iu shit Liqenit të Bujanocit. Jemi të shqetësuar për të ardhmen tonë dhe të kompanisë”, thuhet në qarqet sindikale të fabrikës.
Kujtojmë se fabrika e përpunimit të duhanit në Bujanoc, e cila ekziston që nga viti 1937, u ble nga Qumështorja e Sremit, e drejtuar nga Rade Basta, ish-ministër në Qeverinë e Serbisë.
Megjithatë, në Agjencinë për Regjistrat Ekonomikë (APR), si pronare e saj figuron kompania nga Qiproja “RA.B. Capital Group”, drejtori i së cilës është Dragan Stanković.
Po ashtu, kujtojmë se në prill të vitit të kaluar, fabrika pushoi nga puna 34 punëtorë me kontratë të përkohshme, me arsyetimin se ata ishin punësuar si “sezonalë për shkak të rritjes së vëllimit të punës” dhe u larguan “për shkak të zvogëlimit të këtij vëllimi”. /JUGPress