Presheva dhe Bujanoci vazhdojnë të mbeten ndër komunat me pagat më të ulëta në Serbi, sipas të dhënave zyrtare të Institutit Republikan të Statistikave (RZS) për muajin nëntor.
Paga mesatare neto në komunën e Bujanocit në nëntor ishte 80.916 dinarë, dukshëm më e ulët se paga mesatare kombëtare, e cila arriti në 111.987 dinarë. Diferenca mes mesatares së Serbisë dhe Bujanocit është gati 300 euro.
Situata është edhe më e rëndë në Preshevë. Banorët e kësaj komune kishin pagën mesatare neto prej vetëm 74.725 dinarësh, duke e renditur Preshevën si komunën me pagat më të ulëta në rrethin e Pçinjës dhe një nga dy komunat më të varfra në Serbi, së bashku me Bojnikun, ku paga mesatare ishte 74.718 dinarë.
Në të kundërt, pagat më të larta në rrethin e Pçinjës u regjistruan në Vladiçin Han me 88.193 dinarë dhe në Vranjë me 88.015 dinarë. Pas tyre vijnë Surdulica (86.805), Tërgovishta (83.704), Baja e Vranjës (80.532) dhe Bosilegradi (79.278).
Në nivel republikan, komunat e Beogradit vazhdojnë të dominojnë me paga dukshëm më të larta. Stari Grad kryeson me 185.937 dinarë, i ndjekur nga Vraçari me 182.763 dinarë.
Sipas RZS-së, të ardhurat neto mesatare për nëntorin 2025 ishin 86.702 dinarë, që do të thotë se gjysma e të punësuarve në Serbi kanë fituar paga deri në këtë shumë.
Krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar, paga mesatare bruto është rritur nominalisht me 11.4% dhe realisht me 8.4%, ndërsa paga mesatare neto ka shënuar rritje nominale prej 11.2% dhe reale prej 8.2%. Megjithatë, këto rritje nuk reflektohen në mënyrë të barabartë në komunat e varfra, ku Presheva dhe Bujanoci vazhdojnë të mbeten në fund të tabelës ekonomike të Serbisë.
