Përfaqësues të ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar, të udhëhequr nga sekretarja për politikë të jashtme, Chantel Care kanë vizituar sot komunën e Preshevës, me ç`rast janë takuar me udhëheqësit politik.
Vizitën e tyre e filluan duke takuar nënkryetaren e Partisë për Veprim Demokratik për Preshevë, Ardita Sinani, e që sipas komunikatës së bërë publike në facebook Sinani ka njoftuar sekretaren për politikë të jashtme pranë ambasadës së Britanisë së Madhe në lidhje me problemet aktuale të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Gjatë ditës së sotme, kryetarja e e degës së Partisë për Veprim Demokratik, Ardita Sinani, priti në takim sekretaren për politikë të jashtme të ambasadës së Britanisë së Madhe, Chantel Care, ku dhe e njoftoi me problemet aktuale politike me të cilat po përballen Shqiptarët e Luginës së Preshevës.” thuhet në postimin e Partisë për Veprim Demokratik në faqen e saj në facebook.
Pas takimit të zhvilluar me kryetaren e degës së PVD-së për Preshevë, Ardita Sinani, delegacioni i ambasadës së Britanisë së Madhe i kryesuar nga sekretarja për politikë të jashtme në këtë ambasadë, Chantel Care, vizitën e vazhduan në Komunën e Preshevës ku u pritën nga udhëheqësia e Preshevës.
Delegacionin e ambasadës së Britanisë së Madhe në Komunën e Preshevës e mirëpritën kryetari dhe zavendëskryetari i Komunës së Preshevës, e që sipas një njoftimi në faqen e Shqiprim Arifit u tha se takimi zgjati mbi një orë.
“Sot pritëm në takim delegacionin nga Ambasada e Britanisë së madhe të përbërë nga Sekretarja e parë politike znj. Chantel Care dhe z. Vladan Avramovic, ku detajisht u informuan mysafirët me shumicen e problemeve me të cilat po përballet Komuna e Preshevës dhe Lugina e Preshevës në përgjithësi.” thuhet mes tjerash në njoftimin e Arifit në facebook.