Për herë të parë në Luginë organizohet turneu për grupmoshat U7–U13

Qendra Sportive “Presheva”, në bashkëpunim me Shoqatën Sportive “Lëvizja” dhe me përkrahjen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Beograd, organizon një turne të hapur për fëmijët e moshës 7 deri në 13 vjeç, i cili do të zhvillohet në Preshevë dhe Bujanoc nga 24 deri më 28 korrik 2025.


Turneu, që mban emrin “Turneu i Luginës” synon të sjellë së bashku fëmijë nga të gjitha shkollat e futbollit të Luginës së Preshevës, si dhe nga mërgata, në një ngjarje sportive që promovon bashkëpunimin, frymën garuese dhe pasionin për futbollin.

Kalendari i turneut sipas grupmoshave:

E Enjte, 24 Korrik në Preshevë:

  • Kategoria U7 (lindur më 2018–2019)
  • Kategoria U9 (lindur më 2016–2017)

E Premte, 25 korrik në Preshevë:

• Kategoria U11 (lindur më 2014–2015)

E Shtunë, 26 korrik në Bujanoc:

  • Ndeshje mikëse dhe aktivitete të lira për të gjitha grupmoshat
  • Pjesëmarrje e hapur për fëmijët nga komuna e Bujanocit dhe diaspora

E Diel, 27 korrik në Preshevë: Kategoria U13 (lindur më 2012–2013)

E Hënë, 28 korrik në Preshevë: Finalja e madhe – Ndeshjet finale për çdo grupmoshë midis ekipeve përfaqësuese të Preshevës dhe Bujanocit

Në turne janë të ftuar të marrin pjesë:

  • Fëmijët e shkollës së futbollit “Presheva”;
  • Fëmijët e shkollave “Lugina”, “Tërnoci” dhe “Besa”;
  • Fëmijë nga diaspora shqiptare;
  • Fëmijë të tjerë të interesuar që nuk janë pjesë e shkollave të futbollit;

Organizatorët kanë bërë të ditur se çdo fëmijë që dëshiron të marrë pjesë në turne duhet të plotësojë dhe dorëzojë paraprakisht një formular pjesëmarrjeje në zyrat e Qendrës Sportive “Presheva, derisa ekipet do të quhen sipas figurave të njohura të futbollit shqiptar si Lorik Cana, Armando Broja, Berat Gjimshiti etj.

Për ta përmbyllur me madhështi këtë ngjarje, në ditën e finales do të jenë të pranishëm Presidenti i FSHF-së, z. Armando Duka dhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Beograd, z. Camaj

Të gjithë pjesëmarrësit do të shpërblehen me:

  • Medalje, mirënjohje dhe fanella të veçanta për fituesit
  • Ushqim dhe pije gjatë gjithë ditës
  • Dhurata dhe surpriza të veçanta

Ky aktivitet synon të promovojë futbollin tek brezi i ri, të forcojë lidhjet mes fëmijëve të Luginës dhe mërgatës, si dhe të krijojë një atmosferë festive për komunitetin.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Nejira Zeqiri nga Bujanoci bëhet pjesë e përfaqësues së Kosovës në basketboll U14

PreshevaPRESS

Gjimshiti, viziton KF Tërrnocin: “Gjithmonë krenar për rrënjët e mia”

PreshevaPRESS

Sot nis turneu tradicional “Musa Musahu” / Publikohen çiftet për fazën e parë eliminuese

Lirigzona Nuredini