Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për BBC ka deklaruar se Kosova është shembull i një vendi që e di çmimin dhe rrugën drejt paqes, duke rikujtuar periudhën e luftës dhe mbështetjen vendimtare të aleatëve ndërkombëtarë.
“Ka shumë arsye, por ndoshta më lejoni të kthehem pas në kohë. 26 vjet më parë. Kosova ishte një vend i shkatërruar nga lufta. Gjenocidi po kryhej kundër popullit të Kosovës. Dhe nën udhëheqjen e ShBA-së dhe sigurisht, me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe shumë vendeve demokratike anembanë botës, jetët tona u shpëtuan”, tha e para e shtetit.
Osmani theksoi se ndërhyrja ndërkombëtare i dha Kosovës një shans për paqe dhe liri, duke nënvizuar arritjet e shtetit sot.
“Na u dha një shans për paqe. Na u dha një shans për të jetuar të lirë. Dhe sot jemi sovranë, jemi demokratikë, jemi të pavarur. Dhe më e rëndësishmja, fëmijët tanë janë brezi i parë në historinë e ekzistencës së kombit tonë që nuk e kanë njohur luftën dhe që kanë gëzuar paqen. Ne e dimë se si mund të arrihet paqja, dhe ajo mund të arrihet përmes veprimit. E dini, në atë kohë, unë isha një fëmijë i luftës, duke u rritur nën granata. Dhe si të gjithë të tjerët në brezin tim, jetët tona ishin në rrezik. Por çështja është se ajo që po dëgjonim në atë kohë ishin rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ishin copa letre. Ishin fjalë, por asnjë veprim. Derisa erdhi ShBA-ja dhe mblodhën botën për të na ndihmuar”, deklaroi presidentja e cila është një nga lideret botërore që i është bashkuar Bordit të Paqes të presidentit të ShBA-së, Donald Trump.
Ajo njëherësh tha po ashtu se anëtarësimi i Kosovës në Bordin e Paqes nuk përfshin asnjë obligim financiar për shtetin e Kosovës.
“Nuk na është kërkuar kurrë ndonjë kontribut financiar. Përkundrazi. Karta e Bordit të Paqes sqaron se anëtarësimi në Bordin e Paqes nuk nënkupton ndonjë detyrim financiar për vendet apo ndonjë delegim sovraniteti. Nuk thuhet kështu në kartën e organizatës”, deklaroi ndër të tjerash Osmani. /Klankosova.tv
