Organizata CRTA ka publikuar projeksionin e rezultateve të zgjedhjeve në Serbi, bazuar në 90 për qind të mostrës së përpunuar.
Sipas organizatës CRTA, në zgjedhjet parlamentare koalicioni rreth partisë së Vuçiqit fitoi 43,38% të votave, koalicioni Të Bashkuar për Fitoren e Serbisë 12,92% dhe koalicioni rreth Ivica Daçiqit 11,51%.
Drejtori programor i organizatës CRTA, Rasha Nedelkov ka paraqitur edhe të dhënat për zgjedhjet presidenciale, sipas të cilave Aleksandar Vuçiq ka marrë 59,03 për qind të votave, Zdravko Ponos 17,44 për qind dhe Millosh Jovanoviq 5,64.
Në konferencën për media, Rasha Nedelkov tha se janë duke pritur të dhënat që janë marrë me vonesë nga qyteti i Beogradit nga vendvotimet e mëdha.
Pjesëmarrja, bazuar në 95 për qind të kampionit të përpunuar, në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale është 59,3% tha Nedelkov.
Qytetarët e Serbisë sot votuan në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, ndërsa në dy qytete dhe 12 komuna votuan për përbërjen e asambleve komunale. Të drejtë vote në Serbi kanë pasur 6502307 votues.