Nuk ka ankesa për zgjedhjet në Tërnoc, pritet që Komisioni Republikan Zgjedhor të përshpejtojë konstituimin e Parlamentit

Deri të dielën në ora 20:00, kur edhe ka skaduar afati, asnjë listë zgjedhore nuk ka paraqitur kërkesë për anulimin e votimit në vendvotimin numër 6 në Bujanoc (Tërnoc i Madh), ku të enjten më 30 qershor, qytetarët kanë votuar për të pestën herë, moment kur edhe kanë filluar të numërihen afatet kohore për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare.


Sipas Ligjit për Zgjedhjen e Deputetëve, Komisioni Lokal Zgjedhor, në këtë rast Komisioni Komunal Zgjedhor i Bujanocit, ka afat prej 96 orësh nga mbyllja e vendvotimeve për të dorëzuar në Komisionin Republikan Zgjedhor një raport përmbledhës për rezultatet e votimit, afat i cili skadon të hënën, më 4 korrik në orën 20:00. Gjithashtu, parashtruesit e listave zgjedhore dhe votuesit të cilët janë të regjistruar në listën zgjedhore në vendvotimet në Bujanoc kanë afat prej 72 orësh për të paraqitur kundërshtim për raportin përmbledhës të komisionit zgjedhor komunal për rezultatet e votimit.

Nëse nuk ka kundërshtime të tilla dhe pasi që nuk ka pasur kërkesa për anulim të zgjedhjeve pas votimit të përsëritur në vendvotimin nr. 6 në Bujanoc, pritet që të mos ketë asnjë në raportin përmbledhës për rezultatet e votimit të Komisionit Zgjedhor Komunal.

Në atë rast, Komisioni Republikan Zgjedhor ka një afat prej 96 orësh nga marrja e të gjitha raporteve përmbledhëse për rezultatet e votimit për të nxjerrë një raport të përgjithshëm për rezultatet e zgjedhjeve, gjegjësisht të shpallë rezultatet përfundimtare. Në këtë rast, pritet që KRZ t’i shpallë rezultatet përfundimtare deri të premten, më 8 korrik.

Pas kësaj, fillon të rrjedhë një periudhë prej 72 orësh, gjatë së cilës parashtruesit e listave të shpallura zgjedhore dhe votuesit kanë të drejtë të paraqesin kundërshtim në Komisionit Republikan Zgjedhor për raportin e përgjithshëm për rezultatet e zgjedhjeve.

Duke supozuar se nuk ka kundërshtime për rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, KRZ brenda 10 ditëve nga publikimi i rezultateve përfundimtare cakton mandate për kandidatët për deputetë sipas renditjes së tyre në listën zgjedhore.

Në të njëjtën kohë, pra nga momenti kur KRZ shpall rezultatet përfundimtare, fillon afati 30-ditor për mbajtjen e seancës së parë ose konstituive të mbledhjes së re të Parlamentit të caktuar nga kryesusi i mbledhjes së mëparshme. .

Në veçanti, nëse KRZ do të shfrytëzonte maksimalisht afatet dhe do të shpallte rezultatet përfundimtare të premten, më 8 korrik, afati i fundit për mbajtjen e seancës konstituive të Parlamentit do të ishte data 7 gusht.

Parlamenti në seancën e parë konfirmon mandatet e deputetëve, sipas procedurës së përcaktuar me Rregulloren e Punës dhe sipas Ligjit për Kuvendin Popullor, derisa ai konsiderohet se është konstituuar kur janë konfirmuar dy të tretat e mandateve të deputetëve të zgjedhur.

Nga dita e konstituimit të Parlamentit fillon afati 90-ditor për formimin e Qeverisë së Serbisë.

Duke pasur parasysh kohëzgjatjen e këtij procesi zgjedhor, pritet që Komisioni Zgjedhor të mos përdorë afatet maksimale ligjore për marrjen e vendimeve, por të gjitha vendimet të merren në kohën më të shkurtër të mundshme.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Publikohet lista e përfituesve në konkursin për masat e efikasitetit energjetik në Preshevë për vitin 2023

PreshevaPRESS

Dokument / Pozitat udhëheqëse që do të i takojnë Aleancës për Luginën në Komunën e Preshevës

PreshevaPRESS

KDNJ ka mbajtur tribunën “(Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi”

PreshevaPRESS