Monodrama “Dera” me regji të Naser Shatrollit, interpretuar nga aktori Drin Berisha, nga autorë të kostumeve dhe skenografisë Arife Veselaj dhe Agron Blakçori, dhe muzikë të Ehad Dula, nesër do të shfaqet në oborrin mbrapa Shtëpisë së Kultutës “Abdulla Krashnica” në Preshevë, me fillim prej orës 20:30.
“Ndryshe nga librat e historisë që ofrojnë shifra dhe fakte, veprat artistke shprehin ndjenja, nga theksimi i fjalës më të thjeshtë e deri te shpërthimi emocional dhe katarsisi i afshit shpirtëror. Ky manifest ndodh në të gjitha artet, por teatri është më karakteristiku dhe më i veçanti, padyshim edhe më i vështiri, sepse është gjithmonë i përvetshëm, kurrë dy herë njësoj i përsëritur, por gjithmonë në funksion të njejtë: me shpreh dhe me bë të gjallë të padukshmen!”, është shprehur dramaturgu Skender Zogaj në një kritikë për monodramën “Dera”.
“Pikërisht këtij qëllimi i shërbeu shfaqja e monodramës “Dera”, e dramaturgut dhe regjisorit Naser Shatrolli, i cili ka realizuar një demarsh letraro artistik, specifik për luftën dhe lirinë e bekueme, me rastin e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës që është arritur me vuajtje e sakrifica të jashtëzakonshme: 14 mijë të vrarë, mbi 20 mijë femra të dhunuara, invalidë të përjetshëm, dhe qindra të zhdukur që nuk u dihen as se ku i kanë eshtrat.” vazhdon kritika e Zogaj.