Më 25 dhe 26 tetor 2024, në Preshevë u mbajt me sukses Konferenca Shkencore “Personalitete dhe figura me vlera shkencore dhe kulturore shqiptare nga Lugina e Preshevës dhe vise të tjera shqiptare”, e cila u organizua nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore (SHTKK).
Në këtë ngjarje morën pjesë 48 studiues, prej të cilëve 31 paraqitën punime shkencore nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Zvicra, si dhe shkrimtari çam Arben Kondi.
Konferenca u udhëhoq nga një bord shkencor i përbërë prej personaliteteve akademike si prof. dr. Drita Halimi-Statovci, prof. dr. Agron Xhagolli, akademik Adem Bunguri, prof. dr. Isak Shema, prof. dr. Izaim Murtezani, dr. sc. Shpëtim Memishi dhe Xhemaledin Salihu.
Punimet e Konferencës u zhvilluan në pesë seanca. Hapjen solemne e bëri dr. Shpëtim Memishi, ndërsa fjalën përshëndetëse e mbajti Xhemaledin Salihu, kryetar i SHTKK-së.
Ngjarjen e përshëndetën ambasadori i Shqipërisë në Serbi, dr. Bardhyl Canaj, ambasadori i Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryetari i KKSH-së, Enkel Rexhepi, si dhe akademik Adem Bunguri nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë.
“Kjo Konferencë ka dëshmuar se Lugina e Preshevës mbetet vatër e gjallë e kulturës, dijes dhe kërkimit shkencor. Me pjesëmarrjen e studiuesve nga trojet shqiptare, ne i japim zë historisë, trashëgimisë dhe vlerave tona kombëtare.” ka shkruar kryetari i SHTKK-së, Xhemaledin Salihu, në njoftimin e publikuar në Facebook
Gjatë ceremonisë, u ndanë Mirënjohje për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës për financimin e Konferencës së vitit 2025, si dhe për Fondin Humanitar të GNTC Gorenje Prishtinë, drejtuar nga Fatmir Kadriu, për botimin e librit me punimet e Konferencës 2024.
“Bordi shkencor dhe organizativ i këtij viti ishte garanci për cilësi dhe profesionalizëm, e ku çdo anëtar dha kontribut të çmuar në përgatitjen dhe udhëheqjen e punimeve.” shtoi Salhu.
Në Konferencë u prezantuan punime nga studiues si akademik Adem Bunguri, prof. assoc. dr. Muhamet Bela, Zana Hoxha, akademik Hamit Kaba, dr. Afërdita Abdullahi Dërmaku, prof. assoc. dr. Naim Berisha, prof. assoc. dr. Faton Krasniqi, prof. dr. Vilma Proko, prof. dr. Izaim Murtezani, dr. Rini Useini, Arben Kondi, dr. Minir Ademi, Xhemaledin Salihu dhe të tjerë.
“Përshëndetjet e ambasadorëve dhe përfaqësuesve institucionalë ishin një vlerësim i madh për këtë nismë shkencore. Prania e tyre i dha peshë e dinjitet këtij forumi të dijes shqiptare.” shkroi Salihu në Facebook.
Pas prezantimeve, u zhvillua një diskutim mbi pesë seancat dhe rezultatet e punimeve, ndërsa prof. dr. Agron Xhagolli mbajti fjalën përmbyllëse, duke vlerësuar arritjet e Konferencës dhe duke propozuar hapa për përmirësimin e edicionit të ardhshëm, në vitin 2026.
Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore shpalli anëtarë nderi prof. dr. Mustafë Ibrahimin dhe dr. Minir Ademin, ndërsa si anëtarë të merituar u nderuan prof. dr. Agron Xhagolli dhe prof. dr. Drita Halimi-Statovci.
Të dielën, më 26 tetor, Konferenca përmbylli punimet me përurimin e librit shkencor të vitit 2024, “Personalitete dhe figura me vlera shkencore dhe kulturore shqiptare nga Lugina e Preshevës dhe vise të tjera shqiptare”, recensuar nga prof. dr. Agron Xhagolli dhe prof. dr. Izaim Murtezani.
Projekti u mbështet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, ndërsa botimi i librit u financua nga Fondi Humanitar i GNTC Gorenje Prishtinë, me mbështetjen e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
“Kjo Konferencë është dëshmi se bashkëpunimi midis institucioneve shqiptare, brenda dhe jashtë kufijve, mund të sjellë rezultate të prekshme. Lugina e Preshevës është pjesë e pandarë e mozaikut kulturor dhe shkencor shqiptar.” përfundon njoftimi i Salihut i publikuar në Facebook.
Konferenca u vlerësua si një ndër ngjarjet më të rëndësishme të vitit në fushën e shkencës dhe kulturës shqiptare në Luginë të Preshevës, duke krijuar një hapësirë të përbashkët për studiuesit dhe krijuesit nga të gjitha trojet shqiptare.

