Ndryshim në Zyrën për të Rinj në Preshevë: Asllani largohet, Sylejmani merr detyrën e Koordinatorit

Në Zyrën për të Rinj të Komunës së Preshevës është bërë një ndryshim në drejtimin e kësaj zyre, ku pas largimit të Besa Asllanit nga pozita e koordinatores në Zyrën për të Rinj në Preshevë, me propozim të Kryetares së Komunës, Ardita Sinani, detyrën e Asllanit ka marrë Besfort Sylejmani.


Besa Asllani, aktiviste e Partisë për Veprim Demokratik (PVD), e cila për një periudhë ka udhëhequr Zyrën për të Rinj në Komunën e Preshevës, ka bërë të ditur largimin e saj nga kjo pozitë, përmes një njoftimi të shpërndarë në Facebook, derisa ka shpjeguar se vendimi është rezultat i reflektimit të kujdesshëm dhe lidhet me sfida e mundësi të reja në zhvillimin e saj profesional dhe personal.

“Pas një periudhe të vlefshme përvoje, mësimi dhe bashkëpunimi në pozitën e Koordinatores së Zyrës për të Rinj në Komunën e Preshevës, kam vendosur të tërhiqem nga kjo detyrë,” ka shkruar Asllani.

Ajo theksoi se vendimi për t’u larguar është personal dhe i marrë me respekt ndaj bashkëpunëtorëve dhe institucioneve me të cilat ka punuar. Sipas saj, puna me të rinjtë ka qenë një përvojë frymëzuese dhe e paharrueshme.

Në fund të reagimit të saj, Asllani shprehu mirënjohje për mbështetjen dhe bashkëpunimin që ka pasur gjatë mandatit të saj, duke falënderuar të gjithë ata që kanë qenë pjesë e projekteve e nismave për rininë preshevare.

“Unë largohem me zemrën plot falënderim dhe me shpresë se rrugët tona do të ndërthuren sërish në projekte që do t’i shërbejnë së mirës së përbashkët,” përfundoi njoftimi i saj i publikuar në Facebook.

Para publikimit të njoftimit për largimin e saj nga ana e Besa Asllanit, pozitën e koordinatorit të Zyrës për të Rinj, e kishte marrë Besfort Sylejmani.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Sylejmani përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku shprehu falënderim për besimin e dhënë nga Kryetarja e Komunës, znj. Ardita Sinani.

“E dashur miqësi, deshta me ia kumtu lajmin që sot, me propozim të Kryetares së Komunës, Ardita Sinani, zyrtarisht mora mandatin si Koordinator i Zyrës për të Rinj (ZPR). E falënderoj publikisht për besimin e dhënë,” shkroi ai.

Në ditën e tij të parë në detyrë, Sylejmani ka pritur në zyrë Ambasadoren e Gjermanisë në Serbi, znj. Anke Konrad, si dhe përfaqësues të UNHCR-së e organizatave lokale. Takimi, sipas tij, ishte i përqendruar në çështjet e refugjatëve dhe sfidat që hasin të rinjtë e Preshevës, veçanërisht problemin e mosnjohjes së diplomave të Kosovës nga autoritetet serbe.

“Kryesisht me Shkëlqesinë e Saj bashkëbiseduam për refugjatët dhe trafikimin që i bëhet atyre. Gjithashtu, ia tregova problemet që ne të rinjtë ballafaqohemi — kryesisht me mosnjohjen e diplomave të Republikës së Kosovës nga ajo e Serbisë,” theksoi Sylejmani në postimin e tij.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Deklarata e Bislimit nxit reagime të forta në Luginën e Preshevës

PreshevaPRESS

Presheva në fokus të Shqipërisë: Sabedini takohet me Ambasadorin Canaj për projekte zhvillimore

PreshevaPRESS

Bislimi alarmon BE-në: Serbia po përdor administratën për të bllokuar shqiptarët në Luginë

PreshevaPRESS