Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, sot në RTK gjatë diskutimit për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në “Studio e Hapur”, ka thënë se klasa politike e Kosovës, dialogun e ka trajtuar si diçka jo të dobishëm për Kosovën por si një obligim të cilin po ua kërkojnë miqtë ndërkombëtarë, gjë që e ka cilësuar si qasje e gabueshme.
“Ne është dashur që ta përcaktojmë nga fillimi se dialogu është interes jetik i yni, që ne ta përmbyllim çështjen e marrëdhënieve me Serbinë. Një zgjidhje e mirë e raporteve me Serbinë do të nënkuptonte përfundimin e shtet-ndërtimit të Kosovës, sidomos në planin ndërkombëtarë” tha Valon Murati gjatë diskutimit në Studio e hapur në RTK, transmeton PreshevaPRESS.
Murati më tutje gjatë debatit për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në RTK ka thënë se qasja e keqe ndaj dialogut ka krijuar kaos politik, e që si pasojë kjo çështje është shndërruar në një betejë të brendshme elektorale, në momentin kur është dashur që të shndërrohet në një lloj konsensusi të partive politike dhe të gjithë shoqërisë për të nxjerrë më të mirën si opsion.
“Po them se jemi në një kaos politik sepse kushdo që është në qeveri bën përpjekje që ta thirr opozitën, të krijoj unitet, të krijoj konsensus, por në momentin kur është në opozitë sillet çdo here me refuzim në raport me qasjen e qeverisë, për shkak se nuk po e kuptojmë rëndësinë e momentit.” tha Murati mes tjerash në diskutimin e tij në Studio e Hapur të RTK, përcjell PreshevaPRESS.
Murati gjatë kësaj paraqitje ka thënë se është shumë e vështirë të parashihet dinamika e zhvillimit të dialogut, për shkak të dy proceseve që po zhvillohen ndamas nga BE dhe SHBA.