MESAZHET E PËRFAQËSUESVE INSTITUCIONAL PËR MUAJIN E RAMAZANI

Muaji i Ramazanit që fillon sonte, këtë herë do të jetë më ndryshe për shkak të pandemisë.


Në lidhje me këtë foli edhe Myftiu Naim Tërnava, i cili bëri thirrje dhe luti besimtarët që edhe pse në këtë muaj janë të rekomanduara vizitat dhe iftaret me miq dhe farefis, ta ndalohen ato dhe të vazhdohet me respektimin e masave.

“Ramazanin po e nisim me masat e marra për parandalimin e pandemisë. Xhamitë tona janë pa xhematin e tyre, në këtë gjendje është edhe Qabeja, Xhamia e Muhamedit a.s dhe të gjitha xhamitë e botës. Ramazanin po e nisim me shpresë te Zoti se fundi i tij do të na gjejë në gjendje normale – në xhami, shkolla dhe vendet tona të punës”.

Tërnava tha se agjërimi është një prej pesë shtyllave i islamit dhe kush ka e mbërrin këtë muaj duhet ta agjërojë.


Ardita Sinani / Kryetare e degës së PVD-së në Preshevë

Të dashur qytetar të komunës së Preshevës,
Të nderuar vëllezër e motra të besimit Islam,

Në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit, muajit të begative e sakrificës, muajit të mirësive e solidaritetit, uroj nga zemra të gjithë myslimanët duke i dëshiruar agjërim të lehtë.

Muaji i Ramazanit për besimtarët është i njohur si muaji që Krijuesi i gjithësisë zbret mëshirë për të gjithë ata që i drejtohen me lutjet e tyre të sinqerta, andaj uroj që këtë begati të Zotit ta shfrytëzojmë në mënyrë që të shpresojmë në shpërblimet e Tij.

Duke ditur se Zoti fuqiplotë i plotëson më shumë se në çdo periudhë tjetër lutjet dhe dëshirat tona, uroj që ta shfrytëzojmë këtë mundësi të mirë që t’i drejtohemi Zotit me lutjen për tejkalimin e sfidës ndër më të madhe për njerëzimin, siç është Virusi Corona. Le të lutemi me zemër që ky virus, në të gjithë botën, e posaçërisht në trojet tona të kalojë pa pasoja.

Uroj që muaji i Ramazanit të na shërbejë si reflektim në bashkim për bamirësi, solidaritet e kujdes ndaj nevojtarëve.

Me besim të madh tek Zoti Fuqiplotë dhe me shpresë në shpërblimet e Tij,

Me fat Muaji i shenjtë i Ramazanit

E juaja, Ardita Sinani
Kryetare e degës së PVD-së, në Preshevë


Ragmi Mustafa / Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar

Nesër fillon muaji i Ramazanit. Muaj i lartësimit shpirtëror, muaj i udhërrëfimit dhe i mëshirës, muaj i edukimit dhe i vetëmohimit e vëllazërisë.

Ky muaj që simbolizon sakrificën dhe besimin në Zotin, mirëkuptimin dhe dashurinë për të gjithë njerëzit, e veçmas për ata që janë në gjendje më të vështirë sociale dhe kanë nevojë për dorën e ndihmës nga shoqëria.

Megjithatë, ky muaj i agjërimit vjen në kohë pandemie. Kjo pandemi ka shpërthyer në gjithë botën e edhe në rajonin tonë. Fatmirësisht, në Luginën e Preshevës ende nuk e ka infektuar nga komuniteti shqiptar me CoVid -19 edhe pse virusi nuk njeh as fe, as kombësi e as racë.

Gjendja e jashtëzakonshme ka suspenduar monotonin e së përditshmes si dhe realizimin e riteve të përbashkëta fetare.

Andaj, lus të gjithë në Luginë që të përmbahen rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rekomandimeve të ekspertëve shëndetësor në luftën kundër përhapjes së CoVid-19.

Brenda kushteve të jemi më shumë solidar e le të mirëpresim këtë muaj të bekuar edhe në këtë situatë.

Lus Zotin e lartësuar që të gjithë besimtarëve kudo në botë t’ua pranoj agjërimin dhe të gjitha lutjet e veprat e mira.



Shaip Kamberi – Kryetar i Bujanocit dhe i PVD-së

Të nderuara motra dhe vllezër,

Dita e nesërme, shënon fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, muajit të mëshirës, të faljes, e sakrificës për besimtarët myslimanë.

Agjërimi njihet edhe si, njëra nga adhurimet më madhështore të cilin besimtari me plotë devotshmëri e sinqeritet e kryejnë për hir të urdhërave të Zotit të tij, ku Allahu Fuqiplot, përmes fjalëve në librin e tij të shenjtë, na drejtohet: “Muaji i Ramazanit është muaji në të cilin zbriti Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues i të vërtetës nga gënjeshtra, kush nga ju që arrin këtë muaj, le ta agjëroj ”. (El-Bekare – 185).

“O ju që keni besuar! Agjërimi ju është bërë detyrim, ashtu siç ishte detyrim edhe për popujt që ishin para jush, kështu që, të bëheni të devotshëm.” [Bekare – 183]

Profeti Muhammed (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thoshte: “Islami është i ndërtuar mbi pesë shtylla, dhe njëra ndër këto shtylla, është edhe agjerimi i muajit të Ramazanit.”

Të respektuar besimtarë,

Duke ditur se në natyrën e njeriut, gabimi si veprim është i pashmangshëm, le të shërbejë ky muaj si një rast i volitshëm për pendim tek Zoti dhe përafrim me njëri-tjetrin.
Sakrifica e agjërimit tek besimdrejti manifeston ndjenjën e kujdesit dhe të solidaritetit për njerëzit, andaj le të jemi syhapur ndaj gjendjes së rëndë aktuale, dhe dorështrirë ndaj skamnorëve e nevojtarëve, ndaj atyre që sot kanë më shumë se kurrë nevojë për ofrimin e dorës së solidaritetit.

Agjërimi i Ramazanit, në esencë, besimtarit i ofron vlerat e dashurisë, respektit, bamirësisë, flijimit e sinqeritetit, ngase ai e bënë njeriun më të dashur, më fisnik, më human, më të afërm e më mirënjohës ndaj Krijuesit të Gjithësisë.

Le të na shërbejë ky muaj për solidiratet me njëri-tjetrin, dhe pendim të sinqert tek Zoti Mishërbërës.

Urime dhe gëzuar Muaji i shenjtë i Ramazanit
Agjërim të lehtë e të pranuar!

Me shumë respekt,
Shaip Kamberi – kryetar i Komunës së Bujanocit


Ragmi Mustafa / Kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare

Të nderuar besimtarë të besimit islam,

Uroj që agjërimi, lutjet dhe të gjitha ibadetet tuaja gjatë muajit të Ramazanit të jenë të pranuara.
Edhe këtë vit, ashtu si edhe për vitet në vijim, urojmë që muaji i madhërishëm i Ramazanit të gjejë familjet tona në harmoni, mirëqenie, lumturi dhe përplot dashuri.

Uroj që të gjithë të jemi të bashkuar duke u ndihmuar skamnorëve dhe nevojtarëve.

Më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare t’ju uroj shëndet, mirëqenie dhe agjërim të lehtë në muajin e Ramazanit.

Me respekt,
Dr.Sc.Ragmi Mustafa, Kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare.


Nagip Arifi / Kryetar i Partisë Demokratike

Të nderuar vëllezër dhe motra musliman/e !

Urime muaji i shenjtë i Ramazanit, lusim Zotin që të kemi agjërim të lehtë.

Urojm që në çdo familje të ketë shëndet, harmoni dhe begati.

 


Shqiprim Musliu / Kryetar i Lëvizjes së Progresit Demokratik

Urime muaji i bekuar i Ramazanit!

Të gjithë besimtarëve mysliman shqiptar të Luginës së Preshevës, trojeve shqiptare e diasporës shqiptare ju urojmë muajin e agjërimit, muajin e Ramazanit.

Ramazani në vetvete sjell për njerëzit vlerat më të larta të ndërtimit të një shoqërie ideale. Uniteti, barazia, vëllazëria, vetëmohimi, solidariteti e devotshmëria e bashkë me shumë vlera të tjera janë bërthama e vlerave që e shoqërojnë një njeri besimtarë gjatë agjërimit të tij.

Agjërimi me të vërtetë është një urtësi që askush tjetër përveç Zotit nuk mund t`ia dijë rëndësinë e tij, e për shpërblimin vet Allahu i Madhërueshëm thotë: “Çdo punë e njeriut i përket atij, përveç agjërimit. Ai është Imi dhe Unë për të shpërblej”

Urojmë që ky muaj të sjellë begati në familjet tona e në vendet tona. Urojmë e lutemi tek Allahu i Madhëruar që t`i pranojë veprat e mira, lutjet dhe agjërimin e të gjithë besimtarëve mysliman.

Me shpresën se kjo periudhë të jetë mundësi dhe kohë reflektimi për vetveten e për mbarë shoqërinë, e në këtë mënyrë për të synuar arritjen e objektivit më të lartë të agjërimit, devotshmërinë.

Agjërim të bereqetshëm e lutje të pranuara!
Bujanoc, 23 prill 2020


Sami Salihu / Kryetar i Lëvizjes për Reforma PDSH

Ju uroj nga zemra: Urime Muajin e Shenjtë të Ramazanit!
Agjërim të lehtë dhe të pranuar!

 
 
 
 
 
 

ARTIKUJT E NGJASHËM

Komuna e Bujanocit vendosë partneritet me Haraçinën

PreshevaPRESS

Sinani ka pritur në takim shefin e zyres së Osbe-së në Bujanoc

PreshevaPRESS

Në Preshevë fillon grumbullimin e qenve endacak

PreshevaPRESS