Sot në zyrën e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Bujanoc, kanë vazhduar diskutimet për unifikimin e partive politike shqiptare në Bujanoc, iniciativë e kryetarit të KKSH-së, Nevzad Lutfiu.
“Sot është realizuar takimi i dytë me përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare me qëllim arritjen e marrëveshjes parazgjedhore për koalicion paszgjedhor(motivi kryesor i kësaj marrëveshje është ruajtja e shumicës shqiptare në Komunën e Bujanocit).” thuhet në njoftimin e publikuar nga Lutfiu në rrjetin shoqëror facebook.
Në mbledhjen e dytë të thirrur nga KKSH kanë marrë pjesë PD, PVD, LPD, APN dhe përfaqësues të Lëvizjes për Bujanocin.
Lutfiu ka njoftuar se me ftesën për takimin mes partive politike, pjesëmarrësve i ka dërguar edhe një draft marrëveshje për nënshkrim.
Sipas Lutfiut këto janë qëndrimet e partive politike rreth draft marrëveshjes së propozuar nga vet ai:
- Partia Demokratike u shpreh e gatshme për nënshkrimin e marrëveshjes dhe nuk paraqiti vërejtje.
- Partia për Veprim Dekomratik u shpreh e gatshme për nënshkrimin e marrëveshjes, por paraqiti disa ndryshime-plotësime në marrëveshje.
- Lëvizja e Progresit Demokratik u shpreh e gatshme për nënshkrimin e marrëveshjes dhe nuk paraqiti vërejtje.
- Alternativa për Ndryshim u paraqit e gatshme për nënshkrimin e marrëveshjes me kushtin që një marrëveshje e tillë të zbatohet dhe në KKSH, gjithashtu nuk e sheh KKSH-n si institucion kredibil për arritjen e kësaj marrëveshje.
- Lëvizja e sapo formuar politike e kryesuar nga Driton Rexhepi, paraqiti një propozim tjetër: krijimin e një liste të përbashkët me kandidat konsensual apolitik, por nuk e përjashtoi mundësinë që të jet i pranishëm dhe në takimin e radhës për të diskutuar në takimin-marrëveshjen finale.
Lutfiu përmes njoftimit ka thënë se do nga e hëna do të punohet në përpilimin e një marrëveshje finale, e që do të i propozohet nga KKSH partive politike shqiptare në Bujanoc.
Të gjitha informacionet në lidhje me Zgjedhjet lokale në Luginë mund t’i gjeni duke klikuar në këtë vegëz apo në faqen NË FOKUS nën seksionin ZGJEDHJET LOKALE 2024.