Lëvizja e Progresit Demokratik permes kryetarit të saj, Shqiprim Musliu, i ka dërguar një ftesë për takim Frontit për Ndryshim për konsultime rreth formimit eventual të një koalicioni qeverisës në Bujanoc.
Ftesa e LPD-së pasoi pasi lideri i FPN-së, Arbër Pajaziti, nisi me rrethin e dytë të ftesave për bisedime rreth ndërtimit të institucioneve të reja lokale.
Pajaziti sot është shprehur se vetëm LPD nuk ka dashur ta pranojë ftesën në fjalë.
Ndërkohë, Shqiprim Musliu, kryetar i LPD-së thotë se ftesa e tij për takim është rezultat i marrëveshjes së KKSH-së për koalicion paszgjedhor. /FOLOnline
Postimi i Musliut
Në bazë të marrëveshjes për koalicion paszgjedhor mes PD-së, PVD-së dhe LPD-së të inicuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptar në prill të këtij viti e të cilat më 2 qershor fituan 18 mandate për Këshilltarë në Kuvendin Komunal të Bujanocit, si dhe pas takimit konsultativ të realizuar më 23 qershor mes subjekteve në fjalë për kordinim rreth ndërtimit të koalicionit për bashkëqeverisje, sot në cilësinë e bartësit të këtij koalicioni ftuam për takim konsultativ bartësin e koalicionit Fronti për Ndryshim (APN, LB dhe UDSH), për të bashkërenduar qëndrimet për formimin e koalicionit të mundshëm me të gjithë këshilltarët shqiptarë për Komunën e Bujanocit, që do të reflektonte rezultatet e të dy koalicioneve paraprake.
Pas çertifikimit të rezultateve, sot ftuam Koalicionin Fronti për Ndryshim si dhe i bëjmë ftesë edhe zyrtarisht që nesër e martë më 02.07.2024, në ora 09:00 të fillojmë negocimin për ndërtimin e koalicionit për bashkëqeverisje të Komunës së Bujanocit.
Uroj e shpresoj që udhëheqësit e Frontit për Ndryshim të jenë vigjilent e të fillojmë një epokë të re bashkëpunimi.