Delegacioni i Luginës së Preshevës në SHBA fillon agjendën me takimin tek Kongresmenin Keith Self

Delegacioni i Luginës së Preshevës, i përbërë nga Shaip Kamberi, Ragmi Mustafa dhe Ragmi Mustafi, ka nisur sot takimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me qëllim ndërkombëtarizimin e çështjes së shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.


Takimi i parë u zhvillua në Dallas, ku delegacioni pati një drekë pune me Kongresmenin amerikan Keith Self, kryetar i Nënkomitetit për Evropën në Komisionin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së,transmeton PreshevaPRESS.

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, tha se takimi ishte i hapur dhe i përmbajtjesor, duke theksuar rëndësinë e tij për sensibilizimin e institucioneve amerikane lidhur me realitetin në terren.

“Biseduam gjerësisht për gjendjen reale në Luginën e Preshevës, përtej narrativave zyrtare të Beogradit. Hapëm çështjen e pozitës së vështirë të shqiptarëve, militarizimin e zonës dhe moszbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga Serbia që nga Marrëveshja Kornizë e vitit 2001. Po ashtu theksova pasivizimin e adresave dhe diskriminimin sistematik në institucione, arsim e punësim,” u shpreh Kamberi.

Ai kërkoi një angazhim më të fortë të SHBA-ve në rajon përmes mbështetjes institucionale dhe monitorimit të situatës, duke theksuar se “Lugina e Preshevës kërkon barazi – të njëjtat standarde që Serbia i kërkon për serbët në Kosovë duhet të zbatohen edhe për shqiptarët në Serbi”.

Në të njëjtin takim, edhe Ragmi Mustafa, pjesë e delegacionit dhe zavendëskryetar i Preshevës, e vlerësoi takimin si “jashtëzakonisht të frytshëm dhe miqësor”.

“Zoti Keith pati durim të gjatë për të dëgjuar secilin nga ne në lidhje me problemet e akumuluara politike të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Nuk kemi lënë asnjë problem pa theksuar. Diskutuam edhe tema që ishin më pak të njohura për të, të cilat ai premtoi se do t’i shtrojë për diskutim me kongresistë të tjerë, me anëtarë të Departamentit të Shtetit dhe me ambasadorët që do të akreditohen në Ballkanin Perëndimor, sidomos në Serbi,” deklaroi Mustafa.

Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në Dallas, të cilët prej më shumë se tri dekadash kontribuojnë në mbështetje të çështjes kombëtare.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Deklarata e Bislimit nxit reagime të forta në Luginën e Preshevës

PreshevaPRESS

Presheva në fokus të Shqipërisë: Sabedini takohet me Ambasadorin Canaj për projekte zhvillimore

PreshevaPRESS

Bislimi alarmon BE-në: Serbia po përdor administratën për të bllokuar shqiptarët në Luginë

PreshevaPRESS