Pas një vonese prej gati një muaji, Parlamenti Evropian voton të mërkurën për përbërjen e re të Komisionit Evropian, të udhëhequr nga Ursula von der Leyen.
Për miratimin e ekipit të saj duhet vota e një shumice të thjeshtë të ligjvënësve në Strasburg.
Komisioni i ri Evropian është dashur të votohet më 1 nëntor, por është shtyrë për shkak të mosmarrëveshjeve për emërimet e tre kandidatëve.
Secili vend anëtar i BE-së ka një komisionar në Komisionin Evropian, që është krahu ekzekutiv i bllokut.
Britania ka refuzuar të paraqesë përfaqësuesin e saj, sepse planifikon të dalë nga BE-ja.
Nëse Komisioni miratohet, Von der Leyen, 61 vjeçe, do të nisë punën më 1 dhjetor dhe do të përballet me sfida që përfshijnë: ndryshimet klimatike, reformat ekonomike dhe energjinë.
Në mesin e prioriteteve që ka listuar ajo, janë: qetësimi i mosmarrëveshjeve rreth migrimit, adresimi i ndryshimeve klimatike dhe pabarazive gjinore dhe pozicionimi i BE-së në epokën digjitale. /REL