Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov lidhur me ish-liderin e organizatës terroriste të DEASH-it, Abu Bakr al-Baghdadi ka deklaruar se “ai ishte gjetje e SHBA-së”, transmeton Anadolu Agency.
Lavrov për kanalin rus “Rossiya 24” lidhur me vdekjen e ish-liderit të DEASH-it ka thënë se “Al-Baghdadi ishte gjetje e SHBA-së. Ministria jonë e Mbrojtjes ka dhënë një deklaratë rreth Baghdadit. Duam më shumë informacione për këtë çështje. Ushtria jonë po punon për gjetje shtesë dhe nuk mund të konfirmojë të shumtën e atyre që SHBA ka thënë (lidhur me vdekjen e Al-Baghdadit)”.
Duke iu referuar zhvillimeve pasi SHBA-ja pushtoi Irakun në vitin 2003, Lavrov tha se “DAESH-i u ngrit pas okupimit të paligjshëm të Irakut, pas përmbysjes së shtetit dhe pas lirimit të ekstremistëve nga burgjet nga amerikanët. Si rrjedhojë, amerikanët kanë eliminuar dikë për të cilin ata vetë kanë siguruar lindjen e tij dhe sigurisht nëse e kanë bërë me të vërtetë këtë”.
Në një konferencë për media të dielën, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se Baghdadi ka vdekur bashkë me 3 fëmijët e tij pasi ka shpërthyer jelekun vetëvrasës që kishte në trup në njërin prej tuneleve pa dalje që ndodhej poshtë shtëpisë së tij në qytetin Idlib të Sirisë.