Kryetari i KKSH-së: Serbia po tenton getoizimin e shqiptarëve të Luginës

Kryetari i KKSH-së. Nevzad Lutfiu, ka reaguar pas ndalesës që autoritetet serbe ia kanë bërë vizitës së ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla në Luginën e Preshevës.


Lutfiu ka thënë se refuzimi i kërkresës së Sfeçlës për të vizituar Luginën nga autoritetet e Serbisë, ka për qëllim që shqiptarët në Luginën e Preshevës të humbin linjat e tyre komunikuese me Kosovën dhe të mos lejohet asnjë lloj bashkëpunimi mes institucioneve komunale por edhe Këshillit Kombëtar Shqiptar me institucionet e Qeverisë së Kosovës.

Në vazhdim ju sjellim postimin e plotë të kryetarit të KKSH-së:

Të nderuar bashkëkombas

Fundin e muajit që shkoi i bëra ftesë ministrit të brendshëm të Kosovës z. Xhelal Sfeçla që të vizitojë Luginën e Preshevës, duke u bazuar në marrëveshjen e Brukselit për vizitat zyrtare. Ftesa kishte për qëllim një vizitë të ministrit Sveçla në Luginë për t’u njohur me gjendjen e shqiptarëve në tri komunat: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Po ashtu, ishte një ftesë falëmnderuese për njërin nga akterët e Qeverisë së Kosovës e cila po vazhdon të ofrojë mbështetje për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Por, siç jemi njoftuar, Serbia e cila udhëhiqet me pushtet totalitar nga Aleksandër Vuçiq, ka refuzuar një vizitë të tillë vëllazërore të ministrit Sveçla në Luginën e Preshevës.

Ky refuzim ka për qëllim që shqiptarët në Luginën e Preshevës të humbin linjat e tyre komunikuese me Kosovën dhe të mos lejohet asnjë lloj bashkëpunimi mes institucioneve komunale por edhe Këshillit Kombëtar Shqiptar me institucionet e Qeverisë së Kosovës. Po ashtu qëllimi i ndalimit të kësaj vizite synon getoizimin e mëtejmë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës të cilët janë minoriteti më i diskriminuar në Evropë dhe jo vetëm.

Ne po shpresojmë që kjo të jetë hera e fundit kur Serbia ndalon zyrtarët e lartë të Kosovës për vizita në Luginën e Preshevës dhe ky ndalim të jetë edhe një alarm për Bashkësinë Ndërkombëtare.

ARTIKUJT E NGJASHËM

OKB e shqetësuar për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Luginë / Çfarë thuhet në këtë raport

PreshevaPRESS

Presheva dhe Bujanoci pa energji elektrike të dielën

PreshevaPRESS

Edhe pas më shumë se 24 orë nga grabitja në Tërnoc pa gjurmë të autorëve

PreshevaPRESS