Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafa, përmes një postimi në facebook ka thënë se mediat në gjuhën shqipe të diskriminuara dhe pa fonde në Luginë.
Mustafa ka njoftuar se ka qenë pjesmarrës në video-konferencën e organizuar nga OSBE dhe shoqata e gazetarëve NUNS, përmes së cilës është prezentuar raporti “Media në gjuhët e pakicave kombëtare – hulumtim dhe analizë”
Ai ka hedhur kritika në drejtim të përmbajtjeve mediale në gjuhën shqipe sikurse nga sasia poashtu edhe nga cilësia, duke cekur se mungojnë fonde komunale dhe republikane për mediat në gjuhën e pakicave, duke theksuar ato në gjuhën shqipe.
“Nuk është reale dhe e pranueshme që një media të marrë 2/3 të të gjitha fondeve për mediat e pakicave, edhe nëse do të ishte më e mira në botë dhe mund të shkruante projektet më të mira” ka shkruar mes tjerash në njoftimin e tij Mustava, të cilin e ka publikuar në facebook.
Ai në fund ka apeluar për të ndryshuar qasja ndaj mediave në gjuhën shqipe për të ndikuar në rritjen e profesionalizmit të mediave shqipe në Luginë.
Në vazhdim mund ta lexoni postimin e plotë të Ragmi Mustafës në profilin e tij në facebook:
MEDIAT NË GJUHËN SHQIPE TË DISKRIMINUARA DHE PA FONDE NË LUGINË
Pata kënaqësinë të jem pjesë në video-konferencën e organizuar nga OSBE dhe NUNS, ku edhe u prezentua raporti “Media në gjuhët e pakicave kombëtare – hulumtim dhe analizë”
Para një auditoriumi prej më se 100 profesionist të fushës, si vendor e ndërkombëtar theksova se sa i përket mediave në gjuhët e pakicave, në veçanti në gjuhën shqipe nuk kemi zgjidhje të mirë e sistemike. Kanë humbur përmbajtje mediatike si për nga sasia ashtu edhe për nga cilësia pas procesit të privatizimit të mediave komunale.
Sot kemi shumë më pak fonde, komunale dhe republikane, për përmbajtjet në gjuhën shqipe dhe shumë më pak cilësi të informacionit në nivelin lokal. Skena e mediave lokale në gjuhën shqipe nuk është më e avancuar sot sesa ishte, 5 ose 6 vjet më parë.
Bëra thirrje që kjo situatë të përmirësohet, kërkova nga Ministria e Kulturës dhe të gjitha komisionet e konkursit që t’i kushtojnë vëmendje shpërndarjes së drejtë të fondeve publike.
Nuk është reale dhe e pranueshme që një media të marrë 2/3 të të gjitha fondeve për mediat e pakicave, edhe nëse do të ishte më e mira në botë dhe mund të shkruante projektet më të mira (p. sh. RTV VRANJE; RTV Bujanovac). Apo edhe pretendimet e RTS se emiton përmbajtje në gjuhën shqipe janë qesharake e jo profesionale.
Duhet ndryshuar qasja. Më shumë fonde, më shumë profesionalizëm e profesionist për mediumet e Luginës.