KKSH me konkurs për zhvillim profesional të të rinjve shqiptarë të diplomuar

Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH) ka shpallur Programin e Bursimit për Zhvillim Profesional që synon të mbështesë të rinjtë shqiptarë të diplomuar nga Presheva, Bujanoci, Medvegja dhe Sanxhaku, duke u ofruar mundësi për zhvillim profesional dhe integrim në tregun e punës.


Programi, që do të zgjasë 10 muaj, përfshin 90 praktikantë nga profile të ndryshme akademike, të cilët kanë përfunduar studimet me të paktën 180 kredi ECTS (niveli Bachelor).

Ata do të angazhohen në institucione lokale, organizata të shoqërisë civile dhe ndërmarrje private në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe Novi Pazar.

Përmes këtij programi, të rinjtë do të kenë mundësinë të zhvillojnë aftësi profesionale, të fitojnë përvojë praktike dhe të njohin më afër pozitën dhe sfidat e komunitetit shqiptar në Luginë dhe Sanxhak.

Secilit pjesëmarrës do t’i caktohet institucioni ku do të zhvillojë praktikën, në përputhje me profilin e tij akademik.

Përveç angazhimit praktik, programi përfshin edhe javën e orientimit, Akademinë Politike dhe modulet e edukimit juridik mbi të drejtat e njeriut dhe të pakicave, sistemin politik dhe juridik.

Praktikantët do të përfitojnë “kompensim mujor prej 500 euro bruto (në dinarë)”, mentorim profesional, si dhe mundësi për të realizuar projekte komunitare përmes Skemës së Granteve.

Sipas KKSH-së, ky program përfaqëson një “hap konkret drejt fuqizimit të të rinjve shqiptarë” duke i përgatitur ata për sfidat profesionale dhe duke nxitur “rritjen e përfaqësimit të tyre në jetën publike e institucionale” në Luginë dhe Sanxhak.

Afati i fundit për aplikim është 17 nëntor 2025, në orën 18:00.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Ka përfunduar procesi vlerësues i projekteve të mediave në konkursin e KKSH-së

PreshevaPRESS

Lugina e Preshevës në fokusin e Kongresit Amerikan / Kamberi: Një kapitull i ri

PreshevaPRESS

Kryeimami i Këshillit të Bashkësisë Islame në Bujanoc dorëhiqet pas 28 vitesh në këtë pozitë

PreshevaPRESS