Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka reaguar pas ndalesës që autoritetet serbe ia kanë bërë vizitës së ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla në Luginën e Preshevës.
Kamberi ka thënë se vizitat e zyrtarëve të Republikës së Kosovës e Shqipërisë në Luginë të Preshevës nuk janë vetëm të nevojshme, por ato janë të domosdoshme dhe duhet parë si të zakonshme, siç ndodhë në të gjitha vendet demokratike!
“Refuzimi i lejes për vizitë Preshevës, Bujanocit e Medvegjës të Ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla nga Qeveria e Serbisë nuk është i pari, mirëpo ai sjell edhe njëherë dëshminë se pavarësisht zgjedhjeve, Qeveria në Beograd nuk ndryshon, ajo mbetet paranojake e me urrejtje ndaj çdo gjeje shqiptare! Dënojmë ashpër këtë qasje të vazhdueshme nga Qeveria në Beograd nga e cila vazhdon me getoizimin e Luginës së Preshevës”, ka shkruar Kamberi në Facebook.
Ai ka thënë se bashkëpunimi i Luginës së Preshevës me Kosovën e Shqipërinë nuk duhet ta frikësoj askënd.
“…përkundrazi duhet ta mirëpres çdokush, sepse është gjëja më natyrale e çdo komuniteti me shtetet amë! Bashkëpunimi jonë me Kosovën e Shqipërinë nuk do të ndalet. Beogradi mund të tentojë por do të dështojë”, ka shtuar Kamberi.
Ministri Sveçla kishte paraparë për sot ta vizitojë Luginën e Preshevës me ftesë të Këshillit Kombëtar Shqiptar, por kërkesa për vizitë iu ka refuzuar nga autoritetet serbe.