Shaip Kamberi ka bërë të ditur se sot po udhëton me aeroplan, duke publikuar një fotografi ku shihet i vetëm në një aeroport, të shoqëruar me mbishkrimin: “Ne po nisemi!”.
Pas publikimit të fotos nga Kamberi, ka qenë portali i afërt me Partinë për Veprim Demokratik, rtvpresheva.com, që ka njoftuar se Kamberi po udhëton për në Washington, pasi është i ftuar në Lutjet e Mëngjesit.
Derisa po udhëtonte për në Washington përmes Turqisë, pauzën në Stamboll Kamberi e shfrytëzoi për të shkruar edhe një postim në Facebook, duke e titulluar atë: “Nga Istambull drejt Washingtonit, Lugina në agjendën amerikane”.
Edhe pse nuk tregoi arsyen e udhëtimit, Kamberi shkroi se: “Lugina ka hyrë përfundimisht në vëmendjen institucionale të Shteteve të Bashkuara”.
“Në Uashington do të angazhohemi drejtpërdrejt me Departamentin e Shtetit dhe Kongresin Amerikan në takime që formësojnë qasjen amerikane ndaj Luginës”, shkroi Kamberi mes tjerash, duke mos treguar saktësisht agjendën.
Pauzën në Stamboll Kamberi e shfrytëzoi edhe për të shprehur falënderimet për shqiptarët që jetojnë në Amerikë dhe kontribuojnë në avokimin e çështjeve kombëtare në SHBA.
Nuk dihet nëse Kamberi po udhëton për në Washington vetëm për “Lutjet e Mëngjesit”, të njohura si “National Prayer Breakfast”, siç ka raportuar rtvpresheva.com, apo nëse ka edhe ndonjë takim zyrtar.
Çfarë janë Lutjet e Mëngjesit (National Prayer Breakfast)?
Lutjet e Mëngjesit janë një ngjarje tradicionale vjetore që mbahet kryesisht në SHBA, por sot ka edhe versione të ngjashme që organizohen në shumë vende të botës.
“National Prayer Breakfast” në SHBA është një ngjarje simbolike ku feja, politika dhe shoqëria takohen për reflektim moral, jo për vendime politike.
Lutjet e Mëngjesit për këtë vit do të mbahen më 5 shkurt dhe pritet të përfshijnë liderë politikë amerikanë dhe të huaj, të cilët do të flasin rreth roleve të besimit dhe zellit moral në shoqëri.
Deri më tani, për pjesëmarrje në këtë ngjarje, mediat nga Kosova kanë raportuar se janë të ftuar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, bashkë me drejtorin e përgjithshëm të Sekretariatit të KPK-së, Sami Istrefi, si dhe prokurori special Naim Abazi.
Gjithashtu, është konfirmuar se në këtë ngjarje nuk do të marrë pjesë Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, për shkak të vizitës së saj në Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa nuk dihet nëse në këtë ngjarje është ftuar Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
