Kamberi optimist për krijimin e një liste të përbashkët në Luginë, Pajaziti përjashton mundësinë që Kamberi t`i prijë listës

Zgjedhjet parlamentare në Serbi do të mbahen më 17 dhjetor mirëpo dilemma është nëse shqiptarët do të kenë një listë të vetme zgjedhore apo rrezikojnë të mbeten pa ulëse në Kuvendin e Serbisë.


Me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi, udhëheqësit politik në Luginën e Preshevës kanë filluar kalkultimet për krijimin e një liste të përbashkët zgjedhore, por që në të vërtetë debati qëndron në atë se kush do të i prijë asaj liste.

I pari që ka ftuar për krijim e një listë të përbashkët me të gjitha partitë shqiptare të Luginës, ka qenë kryetari i degës së Alternativës për Ndryshim në Bujanoc, njëherit edhe nënkryetar i kësaj partie, Arbër Pajaziti, por në deklarimin e parë që ka dhënë për mediumin serb në Bujanoc, Bujanovaçke, ka thënë se është e papranueshme që Shaip Kamberi, kreu i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) të jetë sërish bartës i listës shqiptare.

Ai ka thënë se Alternativa për Ndryshim do të vazhdojë të insistojë në respektimin e parimeve të dakorduara në vitin 2020, kur shqiptarët dolën në zgjedhje me një listë të vetme të kryesuar pikërisht nga Kamberi.

“Në zgjedhjet e vitit të kaluar, PVD-ja nuk ka dashur të dëgjojë për ato parime, gjegjësisht që partia me më së shumti këshilltarë në Kuvendet e Bujanocit dhe Preshevës të jetë partia që kryeson listën, e që si atëherë e po ashtu edhe tani, kjo parti është Alternativë. Prandaj kemi pasur dy lista, kështu që nga tre mandate parlamentare në zgjedhjet e 2020 kemi kaluar në vetëm një, i cila mezi u fituar.” ka thënë Pajaziti për mediumin Bujanovaçke.

Nevojën për unifikimin e faktorit shqiptar në Luginë në zgjedhjet parlamentare në Serbi e ka theksuar edhe Shaip Kamberi, gjatë pjesëmarrjes në emisionin Këndi Debatit në Tëvë1.

“Një bashkëpunim pa kushtëzime është i mundur dhe një politikë që duhet ta kemi të qartë, ne mund të kemi një situatë në të cilën do të kemi një listë të përbashkët në momentin kur një ose dy deputetë do ta fitojnë mandatin ata të deklarohen se mandati është i yni dhe ne vazhdojmë rrugëtim ndaras nga ju. A do të ketë arsye? Një ndarje na pret ndoshta, qoftë përpara, qoftë mbrapa dhe cili është raporti politik i Luginës së Preshevës me Kosovës”, tha ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, është deklaruar i hapur për bashkëpunim me partitë tjera shqiptare në Luginë të Preshevës, derisa shprehet optimist se mund të ketë unifikim të një liste për zgjedhje parlamentare që do të mbahen në Serbi.

Kamberi në emisionin Këndi i Debatit në Tëvë1 ka thënë se gjatë javës së ardhshme do të fillojnë negociatat dhe takimet për krijimin  e një liste të përbashkët të partive shqiptare në Luginë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, të cilat do të mbahen më 17 dhjetor të këtij viti.

Ndonëse në vitin 2020 asgjë nuk ishte ndryshe, por pas ndërhyrjes së Tiranës zyrtare, u arrit marrëveshja për një listë të përbashkët zgjedhore të të gjitha partive.

Lista “Lugina e bashkuar” mori 26437 vota në zgjedhje dhe fitoi me lehtësi tre mandate parlamentare.

Mirëpo, dy vjet më vonë, shqiptarët hynë në zgjedhjet parlamentare me dy lista për shkak të konfliktit të Alternativës dhe PVD-së për bartësin e listës, për të cilin Bujanovaçke shkroi disa herë, gjë që rezultoi në debakël. Të dyja listat morën gjithsej 13300 vota. Alternativa mbetet shumë poshtë pragut ndërkaq lista e udhëhequr nga Kamberi fitoi një mandat deputeti vetëm pas katër përsëritjeve të votimit në një njësi zgjedhore në Tërnoc.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Publikohet lista e përfituesve në konkursin për masat e efikasitetit energjetik në Preshevë për vitin 2023

PreshevaPRESS

Dokument / Pozitat udhëheqëse që do të i takojnë Aleancës për Luginën në Komunën e Preshevës

PreshevaPRESS

KDNJ ka mbajtur tribunën “(Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi”

PreshevaPRESS