Deputeti Shaip Kamberi po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një vizitë, në kuadër të programit për avokimin ndërkombëtar të çështjes së Luginës së Preshevës.
Së bashku me Ragmi Mustafin dhe Ragmi Mustafën , janë paraparë takime me zyrtarë të lartë amerikanë për të ngritur zërin mbi pozitën e vështirë të shqiptarëve të Luginës dhe për të kërkuar përfshirjen e kësaj çështjeje në agjendat ndërkombëtare politike e diplomatike.
Sipas Kamberit, gjatë vizitës, delegacioni pritet të takohet me:
- Kongresmenin Keith Self, kryetar i Nënkomitetit për Evropën në Komisionin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së;
- Senatorin Cory Booker, anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme të Senatit të SHBA-së;
- Kongresmenin George Latimer, anëtar i Komisionit për të Drejtat e Njeriut “Tom Lantos” në Kongresin Amerikan;
si dhe me ish-kongresmenin Joe DioGuardi dhe anëtarët e Albanian American Civic League.
Delegacioni do të takohet gjithashtu me përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan në Dallas dhe New York.
Kamberi kujtoi se kjo vizitë vjen vetëm katër muaj pas asaj në Berlin, ku u mbajtën takime në Bundestag dhe në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, në kuadër të përpjekjeve për ta mbajtur çështjen e Luginës së Preshevës në vëmendjen e faktorit ndërkombëtar.
Ai falënderoi Qeverinë e Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin me Albanian American Civic League dhe WIAI, që po e mundësojnë dëgjimin e zërit të shqiptarëve të Luginës edhe në SHBA./FOLOnline