Kamberi dhe Sinani, të ashpër ndaj ambasadorëve të shteteve të fuqishme në Beograd

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, dhe kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, mbrëmjen e djeshme kanë qenë të ftuar në emisionin Këndi i debatit në Tëvë1, e të cilët kanë qenë të ashpër me Ambasadorët e shteteve të fuqishëm të akredituar në Beograd.


Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, në emisionin “Këndi i debatit” në Tëvë1 ka folur pas miratimit të rezolutës H.R. 6411 nga Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila ka të bëjë me të drejtat etnike dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Kamberi tutje tha se kjo rezolutë përfaqëson për herë të parë një qëndrim zyrtar të SHBA-së ndaj diskriminimit sistematik që Serbia ushtron ndaj shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Duke folur për raportin e Serbisë me Bashkimin Evropian, Kamberi kritikoi tolerancën e BE-së ndaj shkeljeve të të drejtave të pakicave nga regjimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Brenga jonë ka qenë se toleranca e tepruar e BE-së i ka krijuar hapësirë manovrimi regjimit të Vuçiqit për t’iu shmangur obligimeve që i ka marrë”, theksoi ai.

Edhe më e ashpër në qëndrimet e saj u shpreh Ardita Sinani, e cila, duke folur për Rezolutën amerikane për Luginën e Preshevës, tregoi se në takimet me ambasadorët e shteteve të fuqishme në Beograd, shpeshherë janë përballur me qëndrime kundërshtuese ndaj diskursit të përfaqësuesve shqiptarë të Luginës kundrejt Vuçiqit.

“Kur ne paraqesim problemet e shqiptarëve të Luginës në takimet me ambasadorë të ndryshëm në Beograd, ata realisht shqetësohen dhe dëgjojnë. Por, për shkak të raporteve strategjike me shtetin serb, shpesh mundohen ta ledhatojnë Beogradin dhe nuk duan të ushtrojnë presione shtesë ndaj Beogradit zyrtar. Ka pasur raste kur disa ambasadorë na kanë thënë: ‘Vuçiqi ka mjaft probleme, mos i shkaktoni edhe ju probleme shtesë’, por ne nuk jemi ndalur në përpjekjet tona”, tha Sinani.

Ajo e vlerësoi Rezolutën amerikane për Luginën e Preshevës si tejet të rëndësishme dhe me peshë të madhe, duke theksuar se përmes saj është arritur ndërkombëtarizimi i çështjes së shqiptarëve në këtë rajon.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Rexepi (PVD): Mënyra e menaxhimit të prokurimeve publike po e fundos Preshevën

PreshevaPRESS

Dokument / Ftohet seanca e parë e Kuvendit Komunal të Preshevës për këtë vit

PreshevaPRESS

Dokument / Zgjatet afati për regjistrimin e objekteve

PreshevaPRESS