Nxënës të Gjimnazit “Skënderbeu” në Preshevë morën pjesë në seminarin “Intercultural Camp – Youth Talks”, i cili u mbajt më datat 26 dhe 29 shtator 2025 në Hotel Danubia, në Srebrno Jezero.
Shkolla u përfaqësua nga profesoreshë Arjanita Dalipi dhe nxënësit Ideal Mustafa (IV-4), Florent Ymeri (IV-6) dhe Elisa Hasani (IV-6).
Seminari kishte për qëllim nxitjen e dialogut ndërkulturor dhe mirëkuptimit ndërmjet të rinjve nga komunitete të ndryshme. Gjatë punimeve u shtjelluan tema që lidhen me identitetin, përkatësinë kulturore dhe diversitetin shoqëror, duke i parë këto si pjesë të një modeli të mësuar të mendimit, ndjenjave dhe veprimeve që formësojnë një shoqëri.
Në kuadër të aktiviteteve, pjesëmarrësit diskutuan për tiparet shpirtërore, materiale, intelektuale dhe emocionale që përbëjnë kulturën e një grupi shoqëror – përfshirë bindjet, qëndrimet, sjelljet dhe zakonet.
Pjesëmarrja e nxënësve të Gjimnazit “Skënderbeu” në këtë seminar përbën një mundësi të rëndësishme për zhvillimin e kompetencave ndërkulturore dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet të rinjve nga rajone të ndryshme të vendit.


