Gjendja e jashtëzakonshme në Kosovë, Thaçi dhe Kurti nuk pajtohen

00:15 / 18.03.2020
Agim Veliu kundër Albin Kurtit- duhet shpallur gjendje e jashtëzakonshme

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu ka theksuar që qeveria nuk ka mbajtur mbledhje as dje as sot, duke e demantuar zëvendëskryeministrin Abazi, i cili tha se Qeveria është unike që mos të vendoset gjendje e jashtëzakonshme.

Veliu për Klan ka theksuar ai mbështet shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

“Unë jam që të vendoset edhe për masën ekstreme (v.j. që e quajti Abazi)”, tha ai.

Sipas tij, gjendja është mjaft e rëndë, situata është e rëndë, po rritet numri i të prekurve dhe policia ndoshta s’mund t’ia dalë vetëm.

23:17 / 17.03.2020
Abazi: Nuk pajtohemi me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme

Qeveria e Kosovës e konsideron propozimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, si masë ekstreme. Andaj, kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës nuk është pajtuar me presidentin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Qëndrimin e kryeministrit dhe qeverisë e ka prezantuar në një konferencë për media, zëvendëskryeministri Haki Abazi. Ai tha se Qeveria do të shqyrtojë situatën nëse në një periudhë të caktuar mund të krijohen rrethanat për shpalljen edhe të gjendjes së jashtëzakonshme.

“Kryeministri ka shprehur qëndrimn e tij se nuk është në pajtueshmëri me masën ekstreme të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme të cilën e ka propozuar presidenti sonte. Ne mendojmë që për një gjendje të tillë duhet të përcillet situata, sigurisht edhe të veprohet në momentin e duhur kur e kërkon nevoja dhe kur vendi gjendet ne një situatë që kërkon një veprim të tillë”, tha zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Haki Abazi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për media, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, tha se do të propozojë në Kuvendin e Kosovës dekretin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, pas situatës së krijuar me shpërthimin e koronavirusit të ri.

22:41 / 17.03.2020
Thaçi i kërkon Kuvendit shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se do të propozojë në Kuvendin e Kosovës dekretin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, pas situatës së krijuar me shpërthimin e koronavirusit të ri.

Vendimi është marrë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, i cili mbajti një takim në orët e mbrëmjes më 17 mars.

“Duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës, do t’i propozoj Kuvendit të Republikës së Kosovës dekretin për gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë. Gjendja e jashtëzakonshme përfshin mobilizimin maksimal të FSK-së në gjithë Kosovën. Ky dekret po ndodh për shkak të fatkeqësisë së përhapjes së koronavirusit”, tha presidenti.

Thaçi para mediave tha se “Kosova nuk është vend i izoluar, por është e përfshirë nga koronavirusi i cili po praqet shqetësim për gjithë botën dhe po ashtu po paraqet shqetësime dhe për Kosovën pas rasteve të fundit”.

Presidenti tha se këtë situatë mund ta tejkalojmë duke u angazhuar të gjithë.

Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet të mërkurën për të votuar dekretin e presidentit.

Situata me koronavirusin

Në Kosovë deri më tani janë konfirmuar 19 raste me koronavirusin e ri.

Shumë shtete në botë kanë vendosur të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme pas rritjes së numrit të të infektuarve me këtë virus.

Kjo bëhet në përpjekje për të parandaluar përhapjen e tij. Koronavirusi i ri ka shpërthyer në fund të vitit të kaluar në Kinë.

Në muajt vijues, pothuajse gjitha vendet e botës kanë raportuar raste me infeksione.

Sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins deri më 17 mars, në gjithë botën janë konfirmuar 195,935 raste me koronaviusin e ri. Mbi 80,840 të infektuar janë shëruar, ndërkaq të vdekur si pasojë e sëmundjes Covid-19, janë mbi 7,866 persona.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Turqia e pavendosur, edhe pse është në NATO dëshiron të anëtarsohet edhe në BRICS

PreshevaPRESS

Nga sot ndryshon rregullorja e udhëtimeve brenda BE, njihuni me rregullat që do të ballafaqoheni

PreshevaPRESS

Alarmon Fajon: I trembem faktit se Schengeni po mbyllet si shkak i kërcënimeve në rajon

PreshevaPRESS