Komuna e Preshevës ka nisur procesin e hartimit të Programit për Efiçiencën Energjetike në Objektet e Banimit dhe fton qytetarët, profesionistët, organizatat e shoqërisë civile dhe të gjitha palët e interesuara të marrin pjesë në debatin publik që do të zhvillohet më 5 dhjetor 2025, në ora 10:00, në Sallën e Kuvendit të Komunës.
Ky program synon të përmirësojë kushtet e jetesës në banesa, të ulë kostot e energjisë për familjet dhe të rrisë qëndrueshmërinë mjedisore në Preshevë, duke e bërë komunën më të përgatitur për sfidat energjetike të së ardhmes.
Gjatë debatit publik do të diskutohen:
- Masat kryesore të efiçiencës energjetike në ndërtesat e banimit;
- Standardet e reja për izolim, fasada dhe sistemet e ngrohjes;
- Mundësitë për subvencione dhe burime financimi për qytetarët;
- Përfitimet ekonomike dhe mjedisore nga zbatimi i programit;
- Sugjerimet dhe komentet e komunitetit para miratimit përfundimtar.
Komuna thekson se pjesëmarrja aktive e qytetarëve është thelbësore për të krijuar një program sa më të mirë dhe të qëndrueshëm, që i përgjigjet nevojave reale të komunitetit.
“Kontributi juaj është i domosdoshëm për të ndërtuar një Preshevë më efiçiente, më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme,” thuhet në njoftimin e Komunës së Preshevës.
Të gjithë të interesuarit janë të mirëpritur të marrin pjesë dhe të japin mendimet e tyre.
