Qeveria britanike është në negociata me aleatët evropianë për dërgimin e një force ushtarake në Groenlandë, për të mbrojtur Arktikun dhe për të zbutur shqetësimet e Donald Trump mbi sigurinë.
Lajmin e bën të ditur e përjavshmja “The Telegraph”, sipas të cilës në ditët e fundit funksionarë britanike janë takuar me homologë të vendeve të tjera, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, për t’i dhënë jetë përgatitjeve.
Planet, që janë ende në një fazë paraprake, mund të parashikojnë angazhimin e ushtarëve, anijeve të luftës dhe avionëve britanikë për të mbrojtur Groenlandën nga Rusia dhe Kina.
Në këtë mënyrë, vendet evropiane shpresojnë të bindin presidentin amerikan që të heqë dorë nga ambicia e tij për të aneksuar ishullin.
“Është e qartë se i takon ekskluzivisht Groenlandës dhe Danimarkës të vendosin për çështjet territoriale dhe sovranitetin e Groenlandës”, ka deklaruar ndërkohë, ministri i jashtëm gjerman Johann Wadephul.
Deklaratën, shefi i diplomacisë gjerma ne e ka bërë për gazetën “Bild am Sonntag” përpara nisjes për në Uashington, ku të hënën do të takojë homologun amerikan Marco Rubio për një sërë çështjesh, nga Ukraina tek siguria dhe mbrojtja ndëratlantike.
“Rajoni i Arktikut ka marrë një rëndësi të re sa i takon aspekteve të politikës dhe sigurisë dhe kjo rëndësi do të vazhdojë të rritet pasi Rusia dhe Kina kanë atje interesa që bien ndesh me tonat”, ka vijuar Wadephul.
Sipas raportimeve të prestigjiozes “Bild”, të premten vendet e grupimit E3, Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe, u koordinuan mbi çështjen e Groenlandës, duke diskutuar hapat e ardhshëm./Euronews Albania
