Ekziston mundësia që Rusia mund të pushtojë Ukrainën muajin e ardhshëm, ka paralajmëruar presidenti amerikan Joe Biden.
Shtëpia e Bardhë tha se Biden paralajmëroi presidentin e Ukrainës se ekziston një “mundësi e dukshme” që Rusia të ndërmarrë veprime ushtarake në muajin shkurt.
Kremlini tha se sheh pak vend për optimizëm në zgjidhjen e krizës, pasi SHBA-ja refuzoi kërkesat kryesore të Rusisë.
Presidenti Biden gjatë kësaj bisede tha se u përforcuan shqetësimet që zyrtarët e administratës kanë shtruar prej kohësh.
“Presidenti Biden tha se ekziston një mundësi e qartë që rusët mund të pushtojnë Ukrainën në shkurt”, tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë Emily Horne.
“Ai e ka thënë këtë publikisht dhe ne kemi paralajmëruar për këtë për muaj të tërë”, shtoi ajo.
Biden “rikonfirmoi gatishmërinë e SHBA bashkë me aleatët për t’u përgjigjur me vendosmëri nëse Rusia pushton më tej Ukrainën”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti Zelenskiy tha se me Biden ka “diskutuar lidhur me përpjekjet e fundit diplomatike për shtensionimin e situatës dhe u pajtuam për veprime të përbashkëta në të ardhmen”.
Grumbullimi i mbi 100,000 trupave ruse përgjatë kufirit me Ukrainën ka rritur shqetësimet se Moska është duke u përgatitur që ta pushtojë Ukrainën.
Rusia mohon se po planifikon ndonjë sulm.
Rusia ka prezantuar kërkesat e sigurisë për NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara dhe kërkoi përgjigje me shkrim. Kërkesat kryesore ishin ndalimi i Ukrainës që të anëtarësohet në NATO dhe që aleanca ushtarake të mos zgjerohet nga lindja.