Partia për Veprim Demokratik, përmes një njoftimi të publikuar në rrjetin facebook, ka njoftuar se është arritur marrëveshja për krijimin e listës së përbashkët shqiptare për zgjedhjet parlamentare në Serbi.
Me shpalljen e zgjedhjeve parlamentare në Serbi, partitë shqiptare që veprojnë në Luginë të Preshevës, filluan diskutimet rreth listës së përbashkët shqiptare për këto zgjedhje. Diskutimet rreth listës u transferuan në akuza dhe kundërakuza mes PVD-së dhe APN-së, rreth asaj se cila parti politike duhet tëudhëheqë me listën.
Diskutimet dhe mospajtimet rreth bartësit të listës së përbashkët shqiptare për zgjedhjet parlamentare, javën e kaluar rezultuan me dy tryeza diskutimesh të organizuara ndamas nga PVD dhe APN, por palët mbetën në pozicionet e njejta.
Derisa pozicionet nuk kanë ndryshuar nga asnjëra palë, Partia për Veprim Demokratik, gjatë pasditës së sotme ka njoftuar se është arritur marrëveshja rreth listës pjesëmarrëse për zgjedhjet parlamentare në Serbi.
Lista pjesëmarrëse do të quhet “Koalicioni i shqiptarëve të Luginës” e që deri më tani përbëhet nga Partia për Veprim Demokratik, Partia Demokratike dhe Lëvizja e Progresit Demokratik nga Bujanoci.
Në vazhdim njoftimi i plotë i Partisë për Veprim Demokratik i publikuar në facebook:
KOALICIONI I SHQIPTARËVE TË LUGINËS
Arrihet Marrëveshje për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare
“Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës” është emërtimi i Listës së përbashkët parlamentare i përbërë nga Partia për Veprim Demokratik, Partia Demokratike dhe Lëvizja e Progresit Demokratik, për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 3 prillit të këtij viti.
Marrëveshja e nënshkruar sot është rezultat i bisedimeve mes subjekteve politike shqiptare si përgjigje për përfaqësim dinjitoz dhe profesional në nivelin parlamentar dhe si vazhdimësi e betejës politike për avancimin e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Partia për Veprim Demokratik – Shërbimi për informim