Sinani shkarkohet me 20 vota të këshilltarëve të Kuvendit të Preshevës

Ashtu siç është planifikuar, sot me fillim në ora 10:00 filloi punimet Kuvendi i Komunës së Preshevës e inicuar me 14 nënshkrime të Alternativës për Ndryshim, por jo me seancë të jashtëzakonshme. 


Seanca filloi me fjalën e kryetarit të Kuvnedit Sami Salihu, i cili tha se e ka pa të arsyeshme që seanca e thirrur për sot të mos shtyhet për shkak të takimit të thirrur nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, pasi që nuk ka vlerësuar se ka ndonjë urgjencë për takimin e sotshëm të Kurtit.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i priti në takim përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjës dhe Bujanocit në zyrën e tij me mesazhe të qarta për unitetin e nevojshëm politik në komunën e Preshevës, pas të cilit edhe publikoi një komunikatë në lidhje me atë që u fol në takim.

“Shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc u është bërë padrejtësi e madhe me pasivizimin e mbi 6000 adresave të banorëve shqiptarë në këto komuna, u tha në fillim të takimit. Kryeministri Kurti tha se ky është një spastrim etnik administrativ i heshtur e që po sjellë pasoja të mëdha.” thuhet në komunikatën e publikuar në faqen e Qeverisë së Republikës së Kosovës në facebook.

Derisa Qeveria e Kosovës njoftoi se në takim nuk morën pjesë Kryetari i Alternativës për Ndryshim, z. Shqiprim Arifi dhe Kryetari i Kuvendit të Preshevës, njëherit kryetar i Lëvizjes për Reforma, z. Sami Salihu,  përmes komunikatës u tha se gjendja e shqiptarëve në përgjithësi në këto komuna, me politika diskriminuese e shtypëse të Serbisë kërkon angazhim të përbashkët e vigjilencë të shtuar, vendosmëri e ruajtje të unitetit politik të subjekteve shqiptare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.

“Pas shtypjes e diskriminimit që po u bëhet shqiptarëve nuk duhet mbështetur tentimet për acarim të shqiptarëve me njëri-tjetrin, pjesë e së cilës është edhe synimi për ta rrëzuar kryetaren e Preshevës, znj.Ardita Sinani. Përçarja e ndarja janë gabim dhe bëhen dëm, u shpreh kryeministri Kurti, teksa në fund theksoi se bashkëpunimi e rreshtimi i drejt ndaj mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të shqiptarëve nuk është vetëm nevojë por domosdoshmëri e kohës.” përfundon komunikata e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Kryetarja e Preshevës Ardita Sinani, me të kthyer nga takimi me Kurtin, në seancën e Komunës së Preshevës akuzoi Sami Salihun për prishjen e stabilitetit politik në Preshevë vitet e fundit, duke ftuar këshilltarët e Kuvendit të Preshevës të reflektojnë dhe të kundërshtojnë votimin e shkarkimit të saj, duke i quajtur Salihun dhe Arifin si “tuxharë politik.

“Sido qoftë Sami, është në të drejtën tënde me vendosë për rrugën tënde politike, është në të drejtën e tij t`a rikthej Shqiprimin në pushtet, por këtë Samia dhe Shqiprimi janë duke e bërë duke i ikur popullit, sepse e dinë të vërtetën se çfarë mendon populli për ta. Ky pushtet që po krijohet sot është pushtet krijuar nga lart” tha mes tjerash Sinani në fjalimin e saj para shkarkimit në Kuvendin e Preshevës.

Rreth orës 14:00 në votim të fshehtë të këshilltarëve të Kuvendit të Komunës së Preshevës, me 20 vota pro u shkarkua Ardita Sinani nga pozita e kryetares së Komunës së Preshevës. Për shkarkimin e Sinanit nga pozita votuan 14 këshilltarët e APN-së, 5 këshilltarët e LR-së dhe këshilltari i pavarur Hamdi Fejzullahu, i cili muaj më parë u largua nga Partia Demokratike Shqiptare.

Pas votimit, Ardita Sinani ka reaguar në faqen e saj në facebook, duke falënderuar të gjithë për përkrahjen.

“Faleminderit të gjithëve për përkrahjen, në Luginë, në Kosovë, në Shqipëri, në Mërgatë. Bashkërisht do ta përmirësojmë degradimin e politikës shqiptare në Luginën e Preshevës.” ka shkruar Sinani në facebook.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Publikohet lista e përfituesve në konkursin për masat e efikasitetit energjetik në Preshevë për vitin 2023

PreshevaPRESS

Dokument / Pozitat udhëheqëse që do të i takojnë Aleancës për Luginën në Komunën e Preshevës

PreshevaPRESS

KDNJ ka mbajtur tribunën “(Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi”

PreshevaPRESS