APN NË PRESHEVË VENDOS PËR KANDIDATËT PËR DEPUTET, PA KONSULTUAR DEGËT E BUAJNOCIT DHE MEDVEGJËS

Nënshkrimi i marrëveshjes së iniciuar nga Tirana, kryesisht nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Gent Caka, për themelimin e një liste të vetme zgjedhore të shqiptarëve të Luginës për zgjedhjet parlamentare të Serbisë që do të mbahen më 21 qershor u promovua si lajm pozitiv dhe historik.


Edhe pse të gjitha partitë shqiptare përveç Partisë Demokratike Shqiptare u pajtuan të bashkëveprojnë në zgjedhjet parlamentare, kjo nuk doli ashtu kur erdhi koha për të nominuar kandidatët e tyre. Alternativën për Ndryshim dhe kryetari i saj, Shqiprim Arifi, ditëve të fundit po akuzohen se po e sabotojnë fshehurazi procesin për finalizimin e listës zgjedhore.

Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, brenda partisë Alternativa për Ndryshim filloi përçarja dhe krijimi i fraksioneve që mbështetnin tri kandidaturat tanimë të njohura për publikun e që janë Armend Aliu, Argjend Bajrami dhe Qenan Kamberi. Përçarjet brenda APN-së për herë të parë dolën në pah me dështimin dhe shtyrjen e mbajtjes së seancës së parë të Kuvendit Komunal për tri herë radhazi.

APN thirri mbledhjen e kryesisë më 15.03.2020 për të vendosur për emrin e kandidatit kryesor të kësaj partie në listën për zgjedhjet parlamentare, por ajo u ndërpre me arsyetimin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në Serbi.

Edhe pse kriza e krijuar nga koronavirusi Covid19 u pa si mundësi për të fituar kohë dhe punuar në ftohjen e gjakrave mes fraksioneve, kjo gjë shkoi edhe më keq duke thelluar përçarjen deri në nivel të pamundshëm për të u rikuperuar.

Alternativa për Ndryshim ka ftuar për nesër mbledhjen e kryesisë, në të cilën pikë e vetme e rendit të ditës është përcaktimi i kandidatëve për deputetë nga kjo parti në listën e përbashkët zgjedhore. Mbledhja e kryesisë së APN-së është thirrur përmes një mesazhi, e siç PreshevaPRESS merr vesh nga burimet e saja brenda kryesisë së APN-së, ne mbledhje nuk janë të thirrur përfaqësues nga degat e Bujanocit dhe Medvegjës.

“Te nderuar,  kete te shtune 16.05. filluar nga ora 21.30 do te mbajm mledhjen e rradhes me vetem nje pike te rendit te dites; percaktimi i kandidateve per listen e perbashket te partive shiptare per zgjedhjet parlamentare te cilet jane ne prag. Pjesermarja juaj eshte e domesdoshme! Me respekt” është mesazhi i cili i është dërguar anëtarëve të kryesisë së degës së APN-së në Preshevë.

PreshevaPRESS ka provuar të kontaktojë me kryetarin e degës së Bujanocit dhe të Medvegjës mirë por deri në këto momente nuk ka pranuar një përgjigje nga asnjëri prej tyre.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Sinani e Pajaziti në takim me përfaqësues të Ministrisë së Tregtisë të Serbisë

PreshevaPRESS

Përfaqësuesit e Ambasadës së Britanisë së Madhe në Bujanoc dhe Preshevë

PreshevaPRESS

Komuna e Bujanocit vendosë partneritet me Haraçinën

PreshevaPRESS