Vuçiç paralajmëroi se vaksina kundër kancerit mund të jetë e disponueshme në Serbi deri në fund të vitit të ardhshëm

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi të premten se deri në fund të vitit të ardhshëm qytetarët e Serbisë mund të kenë qasje në vaksinën kundër kancerit që po zhvillohet nga shkencëtarët rus.


Vuçiç tha se dje ka biseduar me drejtorin e Qendrës Kombëtare të Kërkimeve për Epidemiologji dhe Mikrobiologji “Gamaleja”, Aleksandar Gincburg, dhe me drejtorin e përgjithshëm të Qendrës Kombëtare të Kërkimeve Mjekësore për Radiologji, Andrej Kaprin. Ata e kanë njoftuar për zhvillimin e, siç tha ai, “një vaksine revolucionare kundër sëmundjeve onkologjike”.

“Rusët po zhvillojnë një vaksinë që ndryshon nga të gjitha të tjerat. Më shpjeguan se bëhet fjalë për një terapi që ndihmon personat tashmë të sëmurë, pra nuk është parandaluese. Ata janë të bindur se mund të jetë e suksesshme në 80 deri 85 për qind të rasteve,” tha Vuçiç për TV Pink.

Presidenti i Serbisë shtoi se Serbia do të përfshihet në bashkëpunim sapo Rusia të marrë të gjitha lejet e nevojshme.

“Nuk mund të luajmë me një gjë të tillë, por do të përgatisim të gjithë infrastrukturën, mjekët, repartet — gjithçka që duhet për të qenë gati pas disa muajsh,” tha ai.

Vuçiç shprehu shpresën se vaksina do të ndihmojë mijëra të sëmurë.

“Shëndeti i njerëzve në Serbi është tema më e rëndësishme. Do të investojmë gjithçka për të siguruar trajtim, edhe nëse vaksina për momentin kushton 100 mijë euro. Nëse vërtetohet si efektive, çmimi me siguri do të rritet, por shteti do t’u ndihmojë qytetarëve që ta marrin,” theksoi Vuçiç.

Presidenti serb tha gjithashtu se të hënën në Budapest do të zhvillojë një takim me kryeministrin hungarez Viktor Orban, lidhur me sanksionet amerikane ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë.

Related posts

Zgjedhjet Lokale në Maqedoninë e Veriut, pjesëmarrja e votuesve, 9.3 për qind

Vetura godet këmbësorin në Gjilan

Konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës – Nenad Rashiq votohet si nënkryetar