Së paku pesë njerëz u vranë në protestat anti-qeveritare të premten në Irak. Protestat vazhdojnë që nga muaji shtator, kërkohet fund i korrupsionit dhe shërbime më të mira publike. Deri tani nga dhuna kanë mbetur 150 njerëz të vrarë.
Policia përdori gazin lotsjellës kundër protestuesve dhe dy nga viktimat në Bagdad pësuan nga bombolat e tij.
Tre protestues vdiqën pasi u qëlluan me armë zjarri nga një milici në qytetin Nasirija.
Protesta u mbajtën anembanë Irakut, me kërkesat për më shumë vende pune, shërbime më të mira publike dhe fund të korrupsionit.
Protesta të ngjashme në Irak janë zhvilluar edhe javën e parë të tetorit, kur nga dhuna midis policisë dhe protestuesve kanë mbetur mbi 150 njerëz të vrarë.
Në një raport të Qeverisë irakiane është pranuar se autoritetet kanë përdorur forcë të tepruar për shpërndarjen e protestuesve.
Iraku ka një popullsi prej afro 40 milionë banorësh dhe është prodhuesi dhe eksportuesi i pestë më i madh i naftës në të gjithë botën, por shkalla e varfërisë së përgjithshme vlerësohet të jetë mbi 20 për qind.
Kleriku kryesor shiit në Irak, Ajatollahu i Madh, Ali al-Sistani, e shfrytëzoi predikimin e tij të përjavshëm të premten për të bërë thirrje për përmbajtje.