Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha se ka pranuar sinjale të cilat e bëjnë optimist që marrëveshja për daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja (Brexit) mund të arrihet.
“Kemi pranuar porosi optimiste se mund të arrijmë deri te një marrëveshje”, ka thënë Tusk gjatë një vizite në Qipro.
Zyrtari i lartë evropian tha se nuk ka garanci që rrethi i fundit i bisedimeve për Brexit-in do të shënojë suksese. Sipas tij koha ka mbaruar por duhet shfrytëzuar edhe mundësinë më të vogël që të arrihet një marrëveshje para 31 tetorit.
Tusk tregoi edhe një detaj të bisedës së tij të fundit me kryeministrin britanik, Boris Johnson. Ai i ka thënë Johnsonit, se nëse Londra nuk arrinë një zgjidhje funksionale deri më 11 tetor, ai do të njoftojë liderët e BE-së, gjatë samitit të 17 dhe 18 tetorit, se “marrëveshja është pothuajse e pamundur”.
Kryeministri britanik, Boris Johnson, i ka ofruar një plan “përfundimtar” Bashkimit Evropian për daljen e Britanisë së Madhe nga blloku, mirëpo zyrtarët evropianë nuk kanë treguar shumë interesim për arritjen e një marrëveshjeje bazuar në këtë plan.
Negociatat në mes të Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së janë duke vazhduar ende, derisa në qendër të tyre mbetet ndalesa në kufirin irlandez, politikë e diskutuar në mes të ish-kryeministres britanike, Theresa May dhe BE-së, me qëllim të parandalimit të një kufiri të ashpër në mes të Irlandës Veriore dhe Republikës së Irlandës.
Kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se Brexit-i do të ndodhë më 31 tetor edhe pa një marrëveshje me BE-në. /Rel