Trump dhe Erdogan takohen më 13 nëntor në Uashington

Presidenti amerikan, Donald Trump do të takohet me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan javën e ardhshme, në kohën e tensionimit të marrëdhënieve në mes të të dyja shteteve aleate të NATO-s, rreth veprimeve në Siri dhe shitjes së armëve të sofistikuara të Rusisë në Ankara.


Në një bisedë telefonike “të dy liderët kanë rikonfirmuar se ata do të takohen në Uashington më 13 nëntor, me ftesë të presidentit Trump”, ka thënë presidenca turke.

Erdogan më parë ka paralajmëruar se është duke konsideruar anulimin e kësaj vizite për shkak të mospajtimeve rreth konfliktit sirian, si dhe vendimit të fundit të Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara për të njohur vrasjet masive të armenëve si gjenocid një shekull më parë.

Përmes një postimi në rrjetin social, Twitter, Trump e ka quajtur Erdoganin “shumë të mirë” se dhe mezi pret ta takojë.

Gjatë bisedës telefonike, Trump ka thënë se ata kanë diskutuar rreth kufirit siriano-turk, luftimit të terrorizmit dhe përfundimit të armiqësive me kurdët.

Turqia ka nisur një operacion ushtarak muajin e kaluar në Siri pasi SHBA-ja ka njoftuar se do të tërheqë trupat e saj nga veriu i Sirisë, pavarësisht pse ka qenë duke mbështetur luftëtarët kurdë, me të cilët kanë luftuar militantët e grupit ekstremist, Shteti Islamik në rajon.

Turqia ka thënë një kohë të gjatë se luftëtarët kurdë janë një zgjatim i Partisë Popullore të Kurdistanit (PKK), e cila ka zhvilluar një fushatë brenda Turqisë prej vitit 1980, dhe të cilën Ankaraja, Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian e kanë shpallur organizatë terroriste.

Së fundmi Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja kanë kritikuar blerjen e armëve ruse nga Turqia.

Në muajin korrik, Ankaraja ka pranuar sistemet raketore për mbrojtje S-400, çka ka shtyrë SHBA-në t’i ndalojë këtij shteti blerjen e aeroplanëve luftarakë F-35. /REL

Related posts

Donald Trump drejt fitores në zgjedhje

Avionët e parë luftarakë F-16 mbërrijnë në Ukrainë

Izraeli: Konfirmohet vrasja e liderit ushtarak të Hamasit, Deif