Tirana zyrtare dënon operacionin serb të “pasivizimit të adresave” dhe dokumenteve të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, duke folur pas takimit me përfaqësuesit politik të Luginës së Preshevës ngriti si shqetësim se procesi i nisur fillimisht në Medvegjë është shtrirë dhe në komunën e Bujanocit dhe Preshevës, transmeton oranews.
“Diskutuam hollësisht për një seri çështjesh në interes të ndërsjelltë. Ndamë pikëpamjen se pasivizimi i adresave konkrete dhe vendbanimeve të përgjithshme në Medvegjë specifikisht nuk është një prirje e izoluar, është duke u shtrirë dhe në komunën e Bujanocit dhe Preshevës.Kjo nuk është vetëm masë përjashtimi politik, por edhe sulm mbi demokracinë.Mbroj fuqimisht të drejtën themelore për përdorim të simboleve dhe gjuhës në atë hapësirë. Njohja e teksteve mësimore në nivelin fillor dhe të mesëm është e domosdoshme dhe nuk do të kursejmë asnjë përkjekje në këtë drejtim. Insistoj edhe njëherë në përfshirjen proporcionale të shqiptarëve në institucionet shtetërore në Republikën e Serbisë në të gjitha nivelet”, tha ai.
Cakaj shtoi se të gjitha diskutimet për bashkërendimin e qëndrimeve politike dhe thellimin e bashkëpunimit do të materializohen në një plan veprimi, duke njoftuar edhe një vizitë shumë të shpejtë të tij në Luginën e Preshevës.
Nga ana tjetër kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa, kërkoi angazhim diplomatik dhe shtetëror në mbështetje të Luginës.
“Duhet angazhim diplomatik e shtetëror në mbështetje të Luginës së Preshevës. Republika e Shqipërisë do të ndërmarrë një sërë masash për të ridimensionuar Republikën e Shqipërisë në konsumimin e nenit të 8 të Kushtetutës që do të mundësojë gradualisht që shqiptarët e Luginës së Preshevës të jenë nën përkujdesjen institucinale të Republikës së Shqipërisë”, tha Mustafa.
Sa i takon minishengenit ballkanik dhe nëse shqiptarët e Luginës përfitojnë prej tij, Cakaj pati këtë koment.
“Jemi në fazë të diskutimit të ideve, por nuk ka projekte konkrete që strukturojnë bashkëpunimin. Përfshirja e të gjitha sheteve të Ballkanit Perëndimor do të jetë në frymën e materializimit”, ka thënë Cakaj.