Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dhe ai i Bujanocit, Arbër Pajaziti, pas një takimi të zhvilluar sot, janë dakorduar për të bashkëpunuar në shumë sfera.
Me këtë rast, kreu i kryeqytetit të Kosovës ka premtuar investime në realizimin e një projekti digjital në komunën e cila udhëhiqet nga Pajaziti duke premtuar se shumë shpejtë do të jetë mysafirë në Bujanoc.
Në vazhdim prononcimet në Facebook të kryetarëve Rama dhe Pajaziti lidhur me takimin e sotëm në Prishtinë:
Postimi i Përparim Ramës:
Kënaqësi e vecantë të pres, dhe t’i uroj për marrjen e detyrës Kryetarit të Komunës së Bujanocit z. Arbër Pajaziti. Vendosëm themelet e bashkëpunimit tonë në fushën e arsimit, kulturës dhe të shërbimeve publike.
Në veçanti, Kryeqyteti do të mbështes Komunën e Bujanocit me krijimin e inkubatorëve të biznesit për teknologji informative dhe të komunikimit.
Është jo vetëm kënaqësi por edhe obligim i yni që të mbështesim shqiptarët atje. Këtë do të bëjmë jo vetëm përmes shkëmbimit të përvojave por duke gjetur mundësi për financimin e projekteve të rëndësishme për qytetarët e Bujanocit.
U dakorduam që takimin e radhës t’a mbajmë në Bujanoc.
Postimi i Arbër Pajazitit:
Takimin e parë zyrtar jasht Bujanocit e zhvillova me kryetarin e Prishtinës z.Përparim Rama.
Me njeriun e parë të kryeqytetit të Kosovës biseduam për shumë modalitete bashkëpunimi të cilat do të ishin të aplikueshme edhe tek ne.
Në planin infrastrukturor Prishtina po shndërrohet në një metropol të vërtetë ndërsa nuk po ngec aspak në organizimin e aktiviteteve të kulturës dhe eventeve tjera me përmasa ndërkombëtare.
Për ne ishte tejet e dobishme të dëgjojmë nga dora e parë idetë kreative për transforminin e vendbanineve të zona të mirëfillta urbane.
Z. Rama me kënaqësi e pranoi ftesën që shumë shpejt të jetë mysafir yni në Bujanoc duke u zotuar se si dhuratë ndaj qytetarëve tanë do përkrahë realizimin e një projekti mjaft vital.