Kosova është mikpritëse e ushtrimit më të madh ndërkombëtar, të drejtuar nga ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë “Defender Europe 2025”.
Ky ushtrim mbahet nga sot deri më 9 qershor, ku do të jenë pjesëmarrëse 29 shtete me 25 mijë ushtarë të angazhuar, transmeton PreshevaPRESS.
Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se gjatë kësaj periudhe kohore do ketë lëvizje të konvojeve nga vendbazimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në drejtim të rajonit të Gjakovës, saktësisht Aeroportit të Gjakovës dhe poligonit ushtarak në Babaj të Bokës.
“Kjo lëvizje do të realizohet me qëllim të ekzekutimit të ushtrimit ndërkombëtar “Defender Europe 25”, prandaj kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve gjatë periudhës së zhvillimit të ushtrimit”.
Kosova në vitin 2023 ishte përjashtuar nga “Defender Europe 2023” si masë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas tensioneve në veri të vendit.