Kryetarje e degës së Partisë për Veprim Demokratik në Preshevë, Ardita Sinani, uroi shtetin e Kosovës për 15 vjetorin e pavarsië duke thënë se Kosova ka kontribuar dhe vazhdon të kontribojë edhe më fuqishëm në edukimin, arsimimin e ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
1𝟓 𝐕𝐉𝐄𝐓 𝐒𝐇𝐓𝐄𝐓!
’’17 Shkurti do të mbetet për shqiptarët përherë datë e veçantë në historinë moderne. Si sot, 15 vjet më parë, në Kuvendin e Kosovës në seancë solemne Republika e Kosovës shpalli pavarësinë e saj.
E deri te ky sukses historik, çmimi ishte shumë i madh. Por vendosmëria e shqiptarëve për të arritur ëndrrën e kahershme bëri që mos të kursejnë asgjë, as edhe më të shtrenjtën, jetën e tyre.
Për shqiptarët e Luginës së Preshevës, për shkak të lidhjes emocionale që ka pasur dhe ka me Republikën e Kosovës, çdo festë e saj, përjetohet edhe festë e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës.
Shumë breza patriotësh e atdhetarësh kanë kontribuar për lirinë e pavarësinë e Kosovës. E vazhdojnë të kontribojnë për shtetndërtimin e Republikës së Kosovës.
Në anën tjetër, Kosova ka kontribuar e sot vazhdon të kontribojë edhe më fuqishëm në edukimin, arsimimin e ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
Kjo dinamikë dhe kjo ndërlidhje na bën bashkë edhe sot, në këtë përvjetor të pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Sot, më shumë se asnjëherë më parë kemi më shumë Kosovë në Luginë.
Kur jemi në fazën më të rëndësishme për shqiptarët në rajon, është më e nevojshme se asnjëherë më parë të intensifikojmë bashkëpunimin dhe bashkërendimin me institucionet e Republikës së Kosovës, në mënyrë që shqiptarët e Luginës të kenë simetri të drejtash me ato të pakicës serbe që jeton në Kosovë’’.